Viruset duket sikur ekzistojnë vetëm për ta shkatërruar shoqërinë dhe për t’i shkaktuar vuajtje njerëzimit. Ato kanë marrë miliona jetë njerëzish gjatë mijëvjeçarëve, shpesh duke shfarosur pjesë të mëdha të popullatës globale, nga pandemia e Gripit spanjoll e vitit 1918 e cila vrau 50-100 milionë njerëz, e deri te 200 milionë njerëzit që vlerësohet se kanë vdekur nga sëmundja e lisë vetëm në shekullin XX.
Pandemia aktuale e COVID-19 është vetëm një nga seritë e sulmeve virale të vazhdueshme dhe të pafundme. Nëse do të ekzistonte mundësia për të gjetur një ilaç që zhduk të gjitha viruset në qarkullim, shumica e njerëzve do të donin që ky moment të ishte pikërisht sot.
Roli jetik i viruseve
Por, ky do të ishte një gabim vdekjeprurës, në fakt më vdekjeprurës sesa çfarë ka qenë ndonjëherë çfarëdolloj virusi. “Nëse të gjitha viruset do të zhdukeshin papritur, bota do të ishte një vend i mrekullueshëm për afro 1 ditë e gjysmë, më pas të gjithë do të vdisnim”- thotë Toni Goldberg, epidemiolog në Universitetin Wiskonsin-Madison.
Kjo pasi pjesa dërrmuese e viruseve nuk janë vrastarë për njerëzit, madje shumica luajnë një rol jetik në ekzistencën e ekosistemeve. Të tjerët ruajnë shëndetin e organizmave individuale, nga kërpudhat dhe bimët, deri tek insektet dhe njerëzit. “Ne jetojmë në një ekuilibër të përsosur dhe viruset janë një pjesë e këtij ekuilibri”, thotë Susana Lopez Shareton, virologe në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikos.
Shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për rolin që luajnë viruset në mbështetjen e pjesës më të madhe të jetës në Tokë, për shkak se ne priremi të fokusohemi vetëm te viruset që i shkaktojnë probleme njerëzimit. Gati të gjithë virologët studiojnë vetëm viruset patogjenë. Dhe vetëm kohët e fundit disa studiues kanë nisur të analizojnë viruset që na mbajnë gjallë neve dhe planetin tonë, në vend se të na vrasin.
Ajo që shkencëtarët dinë me siguri është se pa viruse, jeta dhe planeti do të pushonin së ekzistuari. Pastaj edhe sikur ta dëshirojmë me gjithë shpirt, asgjësimi i çdo virusi në Tokë do të ishte diçka e pamundur.
Por, duke imagjinuar se si do të ishte bota pa viruse, ne mund të kuptojmë më mirë, jo vetëm sa jetikë janë ata për mbijetesën tonë, por edhe se sa duhet të mësojmë ende rreth tyre. Së pari, studiuesit nuk e dinë sa viruse ekzistojnë saktësisht në Tokë.
Mijëra janë klasifikuar zyrtarisht, por në fakt mund të jenë miliona. “Ne kemi zbuluar vetëm një pjesë të vogël, pasi njerëzit nuk kanë kërkuar shumë për to”, thotë Merilyn Rosink, ekologe në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, SHBA. Shkencëtarët nuk e dinë se sa përqindje e viruseve në total janë problematikë për njerëzit.
“Në aspektin numerik, do të ishte afër zeros”, thotë Curtis Sutll, virolog mjedisor në Universitetin British Columbia. “Gati të gjitha viruset nuk janë patogjene ndaj gjërave që janë më të shtrenjta për ne”, shton ai. Ajo që dimë është se ‘fagët’, apo viruset që infektojnë bakteret, janë shumë të rëndësishëm.
Emri i tyre vjen nga termi grek “fagina”, që do të thotë “të gllabërosh”. “Ata janë grabitqarët kryesorë të botës bakteriale. Pa ta ne do të ishim në telashe të mëdha”, shprehet Goldberg.
Fagët janë rregullatori kryesor i popullatës bakteriale në oqean dhe ka të ngjarë edhe në çdo ekosistem tjetër në planet.
Nëse viruset do të zhdukeshin befas, disa popullata bakteriale do të lulëzonin shumë, e të tjerat mund të ndalonin së rrituri. Dhe kjo gjë do të ishte shumë problematike, sidomos në oqeane, ku më shumë se 90 për qind e të gjithë materialit të gjallë është e natyrës mikrobiale.
Pa vdekje s’ka as jetë!
Këto mikrobe prodhojnë rreth gjysmën e oksigjenit në planet, një proces që mundësohet nga viruset. Këto të fundit vrasin çdo ditë rreth 20 për qind të të gjithë mikrobeve oqeanike dhe rreth 50 për qind të të gjitha baktereve oqeanike. Duke zhdukur mikrobet, viruset sigurojnë që planktoni që prodhon oksigjen të ketë mjaftueshëm lëndë ushqyese për të kryer si duhet fotosintezën, duke mbështetur pjesën më të madhe të jetës në Tokë.
“Nëse nuk kemi vdekje, atëherë nuk do të kemi as jetë, pasi jeta është plotësisht e varur nga riciklimi i materialeve. Viruset janë kaq shumë të rëndësishme për sa i përket riciklimit”, thotë Satll.
Nëse një specie e caktuar shtohet më shumë sesa duhet, një virus do të shfaqet mes tyre dhe do t’i zhdukë ato, thotë Rosink. “Viruset janë një pjesë shumë e natyrshme e ekosistemeve”, thekson ajo. Edhe Satll thekson se kur popullatat bëhen shumë të mëdha viruset kanë prirjen të shumohen më shpejt dhe ta shfarosin atë popullsi, duke krijuar hapësirë për jetesën e gjithçkaje tjetër.