Lifestyle

Cilësia që e kanë të përbashkët “superpleqtë”

Leigh Steinman, 82 vjeç. Fotografi nga Lyndon French për The New York Times

Leigh Steinman, 82 vjeç. Fotografi nga Lyndon French për The New York Times

Pas 25 vjetësh hulumtime, studiuesit kanë zbuluar një tipar të përbashkët në mes të moshuarve që ruajnë kujtesën e mprehtë edhe në moshë të shtyer: ata janë të shoqërueshëm, ka raportuar The New York Times.

Ralph Rehbock, 91 vjeç, i mbijetuar i Holokaustit, ka agjendë të ngjeshur. Çdo të premte të parë të muajit, ai takon një grup burrash në një sinagogë pranë Chikagos në kuadër të Men Enjoying Leisure (MEL) (Burrat që shijojnë kohën e lirë). 

Pasditeve ai këndon këngë klasike të viteve ’30 dhe ’40 me grupin muzikor të klubit, “The Meltones”. Ndërkohë, ai ka ndarë historinë e shpëtimit nga nazistët me mijëra nxënës përmes punës së tij me Muzeun dhe Qendrën Arsimore të Holokaustit në Illinois.

Ralph Rehbock, 91 vjeç

Edhe Leigh Steinman, 82 vjeç, kalon pjesën më të madhe të kohës duke punuar me fëmijët e lagjes në projekte artistike dhe duke ndjekur ndeshjet e Chicago Cubs në stadiumin Wrigley Field, afër shtëpisë së tij. Ai ka punuar si roje sigurie në stadium për 17 vjet, përpara se të dalë në pension gjatë pandemisë. Tani ecën disa herë në javë deri atje për të takuar miq dhe ish-kolegë.

Leigh Steinman, 82 vjeç

Të dy këta burra përshkruhen si “superpleq”, ose të moshuar mbi 80 vjeç që ruajnë kujtesën sikur të ishin 20-30 vjet më të rinj. Shkencëtarët në Universitetin Northwestern i kanë studiuar që nga viti 2000 për të kuptuar pse ata nuk përjetojnë rënien tipike të performancës së memories me kalimin e moshës.

Deri tani, nuk është zbuluar ndonjë dietë, suplement apo regjim i ushtrimeve fizike që i bashkon këta njerëz. Por ka një element të përbashkët të qartë: marrëdhëniet shoqërore.

“Të gjithë e shohin si jashtëzakonisht të rëndësishme lidhjen me të tjerët. Dhe nga ana e personalitetit, shumica janë të shoqërueshëm”, ka thënë profesoresha Sandra Weintraub, nga Fakulteti i Mjekësisë në Northwestern.

Ky përfundim përputhet edhe me atë që thekson doktori Ben Rein, neuroshkencëtar dhe autor i librit që do të botohet së shpejti “Why Brains Need Friends”.

“Njerëzit që shoqërohen më shumë janë më rezistentë ndaj rënies së memories në pleqëri. Dhe zakonisht e kanë trurin më të madh”, ka thënë ai.

Kjo sepse shoqërimi përkon me më pak humbje të vëllimit të trurit. Ndërsa vetmia, e cila është e përhapur te të moshuarit, rrit nivelin e kortizolit, hormoni i stresit, dhe ekspozimi i shpeshtë ndaj tij mund të shkaktojë inflamacion kronik dhe dëmtim të trurit, madje edhe rrezik të shtuar për demencë.

Një analizë e bërë së fundmi ka treguar se vëllimi i trurit të “superpleqve” i ngjan më shumë atij të njerëzve në të 50-at ose 60-at, sesa bashkëmoshatarëve të tyre 80 apo 90-vjeçarë.

Një tjetër veçori interesante është se truri i tyre ka më shumë neurone të tipit von Economo, qeliza të rralla që gjenden vetëm te gjitarët shumë shoqërorë si majmunët, elefantët, balenat dhe njerëzit.

“Këto neurone ndoshta i ndihmojnë të ndërtojnë dhe ruajnë lidhje të forta shoqërore, që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe shëndetin e tyre”, ka thënë doktori Bill Seeley, profesor neurologjie në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko.

Por ai ka theksuar se ky është vetëm një nga shumë faktorë neurobiologjikë që i ndihmojnë të ruajnë formën mendore.

Ndërkohë, hulumtimet tregojnë se pothuajse çdo 80-vjeçar ka shenja të Alzheimerit në tru, pa qenë domosdoshmërisht i sëmurë, ndërsa disa “superpleq” nuk kanë fare. Gjithashtu, në trurin e tyre funksionon më mirë një neurokimikat i rëndësishëm për përqendrimin dhe kujtesën.

Doktoresha Sofiya Milman, nga Kolegji Mjekësor Albert Einstein në New York, që studion njerëzit që jetojnë mbi 100 vjet, ka thënë se edhe ata kanë diçka të përbashkët me “superpleqtë”.

“Janë zakonisht ekstrovertë dhe kanë një këndvështrim pozitiv për jetën”, ka thënë doktoresha.

Por mbetet ende një dilemë: a është shoqërimi që mban trurin të shëndetshëm, apo vet truri i shëndetshëm që të shtyn të shoqërohesh?

“Është ajo dilema e famshme ‘veza apo pula’. Nuk e dimë nëse është socializimi që ruan kujtesën apo anasjelltas”, ka thënë Milman.

Megjithatë, të bëhesh i shoqërueshëm nuk mjafton për t’u bërë “superplak”.

Sipas Weintraub, kjo “fuqi e rrallë mendore” është kombinim i gjenetikës, biologjisë dhe mënyrës së jetesës.

Por për Leigh Steinman, fuqia e lidhjes njerëzore është e padiskutueshme.

“Besoj që shoqëria e stadiumit Wrigley Field dhe e lagjes ku jetoj më ka mbajtur gjallë gjithë këtë kohë”, ka thënë ai.