Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Cilat janë mitet më të mëdha për kancerin

Foto: Ilustrim

Qysh në vitin 2016 shkencëtarët nga King's College në Londër dhe Universiteti Leeds e kryen një studim në 1,330 të rritur për ta monitoruar stilin e tyre të jetesës në lidhje me shëndetin (pirja e duhanit, konsumimi i frutave dhe perimeve, aktiviteti fizik) dhe i krahasuan bindjet e tyre për shkaqet e vërteta dhe të rreme të kancerit.

Rezultatet u publikuan kohët e fundit në European Journal of Cancer.

Lajmi i mirë është se vetëdijesimi për shkaqet e vërteta të kancerit është më i zhvilluar sesa vetëdijësimi për shkaqe mitike, por zhvillimi i përgjithshëm i vetëdijësimit është ende shumë i ulët. Vetëm 52% të shkaqeve të vërteta janë identifikuar në mënyrë të saktë.

Shumica e njerëzve u pajtuan se pirja e duhanit (88%), duhanpirja pasive (80%) ose djegiet nga dielli (60%) mund ta rrisin rrezikun prej kancerit, gjë që shkenca edhe e ka konfirmuar.

Më shumë shqetëson numri i rasteve në të cilat njerëzit besojnë se diçka po e shkakton kancerin edhe pse aktualisht nuk ka dëshmi të mira për këtë, transmeton Koha.net. Për stresin (43%), aditivët në ushqim (42%), frekuencat elektromagnetike (35%) dhe ushqimin OMGJ (34%) supozohet gabimisht se e shkaktojnë kancerin. Përveç kësaj, 19% e të anketuarve besojnë se furrat mikrovalore e rrisin rrezikun prej shfaqjes së kancerit, ndërsa 15% e të anketuarve të njëjtën gjë e mendojnë për pirjen nga shishet plastike.

“Është shqetësuese të shohësh se kaq shumë njerëz i miratojnë faktorët e rrezikut për të cilat në përgjithësi nuk ka asnjë dëshmi”, tha dr. Samuel Smith nga Universiteti në Leeds.

Edhe Shtatë milionë raste të kancereve në vit janë të parandalueshme, sipas një raporti Lifestyle 5 muaj më parë Shtatë milionë raste të kancereve në vit janë të parandalueshme, sipas një raporti

“Krahasuar me studimet e mëparshme, duket se numri i njerëzve që besojnë në shkaktarë të pavërtetuar të kancerit megjithatë është rritur që nga fillimi i shekullit, gjë që do të mundë të jetë shkak i ndryshimeve në mënyrën e qasjes ndaj lajmeve dhe informacioneve përmes internetit dhe rrjeteve sociale”.

Ai gjithashtu tha se çfarë propozonte të bëhej për këtë çështje. “Është shumë e rëndësishme ta përmirësojmë edukimin publik në lidhje me shkaktarët e kancerit në qoftë se duam t’i ndihmojmë njerëzit të marrin vendime të informuara në lidhje me jetët e tyre dhe të sigurohemi që të mos shqetësohen pa nevojë”, shpjegoi ai.

Sipas autorëve të studimit, rreth gjysma deri një e treta e rasteve të kancerit mund të shmangen duke e ndryshuar mënyrën e jetesës, përcjell Koha.net. Kjo është rreth 1.1 milion raste të kancerit çdo vit në Evropë. Ndryshimet më të rëndësishme që dikush mund t’i bëjë, siç thonë autorët, janë ndërprerja e pirjes së duhanit, ruajtja e peshës së shëndetshme të trupit dhe shmangia e ekspozimit të tepërt ndaj rrezatimit UV.