Versioni falas i aplikacionit të inteligjencës artificiale ChatGPT nuk ofron informacion të saktë kur pyetet për recetat mjekësore të barërave të ndryshme, raporton CNBC.
Një studim që është bërë në Universitetin e Long Island, ka bërë 39 pyetje në aplikacionin e famshëm të inteligjencës artificiale ChatGPT.
Studiuesit gjatë muajit maj morën vetëm 10 përgjigje që i quajtën “të kënaqshme” bazuar në kriteret që kishin vendosur.
Autorja e këtij studimi Sara Grosman, paralajmëron mjekësinë dhe pacientët të kenë kujdes me përdorimin e këtij aplikacioni.
“Për pacientët, ky aplikacion nuk mund të jetë mjeku i tyre. Ata duhet të bazohen në informim të saktë si ndonjë uebfaqe e informacionit të ilaçeve me bazë në qeveri, siç është ‘MedlinePlus’ i Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë”, ka thënë ajo.
ChatGPT u konsiderua si aplikacioni me arritjen më të shpejtë të të gjitha kohërave tek konsumatorët pas lansimit të tij.
Por gjatë rrugës, ky “robot përgjigjesh” ka ngritur gjithashtu shqetësime rreth çështjeve që përfshijnë mashtrimin, pronën intelektuale, diskriminimin dhe keqinformimin.
Pavarësisht këtyre fakteve Grossman pranoi se ka një shans që një version me pagesë i ChatGPT do të kishte dhënë rezultate më të mira gjatë studimit. Por ajo ka thënë se kërkimet u përqendruan në versionin falas të aplikacionit për të vërtetuar se me çfarë informohet popullsia e përgjithshme që ka qasje në të.
Megjithatë ajo gjithashtu ka thënë se versioni i përditësuar i ChatGPT falas, mund të jetë më i saktë këtë vit.