Nëse dikush ndien shpime, djegie apo mpirje në duar dhe këmbë, mund të jetë shenjë e neuropatisë, një gjendje që përshkruan dëmtimin apo çrregullimin e funksionit të nervave në gjymtyrë, ka thënë Eva Feldman, profesoreshë e neurologjisë në Universitetin e Michiganit, ka raportuar The Washington Post.
Pse ndodh më shpesh me kalimin e moshës?
Me kalimin e viteve, trupi ynë humbet qeliza nervore dhe ato që mbeten funksionojnë më dobët.
“Nëse këto nerva dëmtohen nga ndonjë gjendje shëndetësore apo lëndim, e kanë më të vështirë të rikuperohen”, ka shpjeguar Anne Louise Oaklander, profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë të Harvardit.
Cilët janë shkaktarët?
Neuropatia shpesh lidhet me:
Diabetin e tipit 2
Sëmundjet autoimune
Kimioterapinë
Hipotiroidizëm të patrajtuar
Sëmundje të veshkave
Obezitet
Mungesë të vitaminës B12, që sipas neurologut Kunal Desai nga Universiteti Yale, prek të paktën 20 për qind të të moshuarve mbi 60 vjeç.
Shenjat që nuk duhen neglizhuar
Shenjat më të zakonshme përfshijnë:
-Shpime në këmbë apo duar (ndjesi si “miza që ecin mbi lëkurë”)
-Djegie ose pickime
-Mpirje që ndikon në ekuilibrin gjatë ecjes
“Pacientët shpesh e përshkruajnë ndjesinë si milingona që ecin mbi këmbët e tyre, ose si djegie dhe pickim”, ka thënë Feldman.
Nëse keni këto simptoma, kontaktoni mjekun menjëherë, sidomos nëse vuani nga sëmundje kronike si diabeti apo jeni në trajtim me kimioterapi.
Si zbulohet diagnoza?
Mjeku do të:
-Shikojë lëkurën e duarve dhe këmbëve për çarje apo plagë
-Testojë reflekset dhe ndjeshmërinë me një lloj piruni vibrues apo gjilpëre
-Kontrollojë forcën muskulore në duar dhe këmbë
Nëse diçka rezulton jonormale, mund të kërkohen teste neurologjike dhe analiza gjaku për të identifikuar shkakun (si diabeti apo mungesa e vitaminës B12).
Nëse simptomat shfaqen vetëm në njërën anë të trupit, duhet të vizitohet neurologu për të përjashtuar sëmundje më serioze, si skleroza amiotrofike laterale (ALS).
Si trajtohet?
Trajtimi varet nga shkaku:
Diabeti i tipit 2: Aktiviteti fizik dhe humbja në peshë mund të përmirësojnë simptomat, sipas një analize të publikuar në Lancet Neurology (2022).
Hipotiroidizmi, mungesa e B12 apo sëmundjet autoimune: Trajtimi i saktë i këtyre mund të lehtësojë neuropatinë.
Kimioterapia: Mjeku mund të ndërrojë terapinë ose të rekomandojë pushim nga trajtimi.
Në raste më të vështira, ndihmojnë edhe ilaçet
Po ashtu, ndihmon edhe një fashë me përmbajtje kapsaicine, veti e cila ngroh pjesën ku aplikohet, por mund të shkaktojë skuqje apo ndjesi djegieje në lëkurë.
Kujdesi i vazhdueshëm
Nëse neuropatia ndikon te këmbët, duhet vizituar mjekun përkatës disa herë në vit për të kontrolluar plagë, ulçera apo infeksione. Këmbët duhet të kontrollohen çdo ditë në shtëpi.
Për të gjithë mbi 50 vjeç, rekomandohet vaksina kundër lisë së dhenve (Shingrix), sepse, siç shpjegon Feldman, “kjo li mund të shkaktojë neuralgji postherpetike, një dhimbje e ngjashme me neuropatinë”.
Kjo vaksinë ka treguar efikasitet mbi 90 për qind në parandalimin e saj.