Për shumë vite, shëndeti mendor është parë si diçka që fillon dhe përfundon në tru. Por studimet e reja po tregojnë se një pjesë tjetër e trupit mund të ketë rol të madh në emocionet e njerëzve: zorrët.
Triliona baktere që jetojnë në sistemin tretës nuk shërbejnë vetëm për të tretur ushqimin, ato komunikojnë drejtpërdrejt me trurin, duke ndikuar në qëndrueshmërinë ndaj stresit dhe madje edhe në simptomat e depresionit apo ankthit, ka shkruar TIME.
Shkencëtarët e quajnë këtë lidhje “boshti zorrë-tru” (gut-brain axis), dhe është duke ndryshuar mënyrën si e kuptojmë humorin dhe mirëqenien mendore.
Studimet kanë treguar se personat me depresion shpesh kanë më pak larmi bakteriale në zorrë, se probiotikët mund të lehtësojnë simptomat e ankthit dhe se ndryshimet në ushqim mund të ndikojnë në kiminë e trurit brenda pak ditësh.
“Tashmë ka më shumë prova shkencore se kurrë më parë për një lidhje të drejtpërdrejtë mes shëndetit të zorrëve dhe shëndetit të trurit. Mikrobioma e zorrëve mund të ndikojë qartë në funksionin e neuroneve”, ka thënë doktori Karl Kwok, gastroenterolog në Kaiser Permanente në Kaliforni.
Si lidhen zorrët dhe truri?
Nëse ndonjëherë ju ka ndodhur të ndieni “flutura në stomak” para një prezantimi të rëndësishëm, atëherë e keni përjetuar këtë lidhje në praktikë. Për shumë kohë mendohej se zorrët thjesht ndiqnin komandat e trurit. Por tani dihet se mikrobet në zorrë luajnë rol aktiv në formësimin e emocioneve njerëzore.
“Linjat e komunikimit midis mikrobiomës së zorrëve dhe trurit përfshijnë substanca që prodhojnë bakteret, përfshirë neurotransmetuesit. Ndryshimet në yndyra, në gjak apo në substanca inflamatore gjithashtu mund të ndikojnë te truri përmes mikrobiomës”, ka shpjeguar doktori Roy Ziegelstein, kardiolog dhe studiues në Universitetin Johns Hopkins.
Doktoresha Catherine Ngo, gastroenterologe në Hoag Digestive Health Institute, e përshkruan këtë sistem si një qytet që nuk ndalet kurrë.
“Imagjinoni zorrët tuaja si një qytet plot lëvizje dhe trurin sikur te ishte komuna në kodër. Ato duhet të komunikojnë vazhdimisht që gjithçka të funksionojë mirë”, ka thënë ajo.
Ky komunikim ndodh nëpërmjet disa kanaleve: nervi vagus lidh drejtpërdrejt zorrët me trurin; sistemi imunitar dërgon sinjale kur ndodh inflamacion; ndërsa sistemi hormonal jep “përditësime” për urinë, stresin dhe humorin.
“Mikrobet vendosin se cilin ‘kanal’ do të ndezin, një program qetësues kur gjithçka është në balancë, apo një transmetim stresues kur jo”, ka thënë Ngo.
Në fakt, rreth 90 për qind e serotoninës, kimikati që njihet si “hormoni i lumturisë”, prodhohet në zorrë, jo në tru.
“Nuk është për t’u habitur që ilaçet më të zakonshme për çrregullime të humorit (SSRI) shpesh kanë efekte anësore në sistemin tretës. Ato po veprojnë në një sistem që është thellësisht i ndërlidhur”, ka shtuar ajo.
Ndikimi në shëndetin mendor
Shkencëtarët dyshojnë se çrregullimet në mikrobiomë mund të lidhen me ankthin, depresionin dhe madje me çrregullime të tjera si bipolariteti apo PTSD.
“Shumica e provave deri më tani e lidhin mikrobiomën me depresionin dhe ankthin. Por edhe sëmundje si skizofrenia, autizmi apo OCD janë duke u studiuar”, ka thënë Ziegelstein.
Në eksperimentet me kafshë, rezultatet janë të qarta.
“Minjtë pa mikrobe zorrësh janë më të shqetësuar dhe më hiperaktivë. Kur u transplantohet mikrobioma e njerëzve me depresion, ata fillojnë të sillen si të depresionuar”, ka treguar Ngo.
Megjithatë, te njerëzit, rezultatet janë më komplekse.
“Ndërsa prova që mikrobioma ndikon në humor është e fortë, prova që ndryshimi i saj përmirëson humorin është ende e kufizuar”, ka paralajmëruar Ziegelstein.
Një rishikim i vitit 2021 nga Advances in Nutrition theksoi se boshti zorrë-tru është një drejtim premtues për trajtimin e shëndetit mendor, por kërkohen më shumë studime për të vërtetuar nëse probiotikët apo dieta mund të kenë efekte të qëndrueshme.
Një analizë e Universitetit të Oksfordit ka gjetur se “probiotikët mund të ulin simptomat e depresionit dhe ankthit,” por edhe vet autorët pranuan se nevojiten kërkime të tjera më të gjera.
Çfarë ndikon në mikrobiomën e njerëzve?
Sipas ekspertëve, mënyra se si ushqehen njerëzit, stresi dhe gjumi ndikojnë shumë në ekuilibrin e baktereve të zorrëve dhe rrjedhimisht në humor.
“Ushqimet që hani ushqejnë mikrobet e zorrëve dhe formësojnë mënyrën si ato funksionojnë”, ka thënë Ngo.
Sipas Ziegelstein, “ndryshimet në dietë kanë ndikimin më të madh. Një mikrobiomë e shëndetshme forcohet nga ushqime që nuk rrisin shumë nivelin e sheqerit në gjak dhe nga ato të pasura me acide yndyrore omega-3, si peshku, farat chia, farat e lirit dhe arrat”.
Kwok ka shtuar se drithërat e plota, frutat dhe perimet si lakra apo sallate gjelbër ndihmojnë në shtimin e baktereve të mira, të cilat përmirësojnë shëndetin e trurit dhe humorin. Por më shumë se gjysma e dietës mesatare amerikane përbëhet nga ushqime ultra-të përpunuara, që me kalimin e kohës dëmtojnë mukozën e zorrëve dhe ndikojnë negativisht në tru.
Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) raportojnë se 57 për qind e kalorive në dietën amerikane vijnë nga ushqime të tilla, të cilat mund të shkaktojnë inflamacion kronik dhe të zvogëlojnë larmishmërinë bakteriale , dy faktorë të rrezikshëm për çrregullimet e humorit.
Ndërkohë, stresi kronik dhe mungesa e gjumit ulin bakteret e dobishme, ndërsa aktiviteti fizik ndihmon në ruajtjen e balancës.
“Është si një simfoni që luan në harmoni, ushqimi, gjumi dhe lëvizja punojnë së bashku për të përmirësuar bakteret që ndikojnë në humor”, ka thënë Kwok.
A mund të trajtohet depresioni përmes zorrës?
Shumë ekspertë janë optimistë, por të kujdesshëm.
“Lidhja midis zorrës dhe trurit është reale dhe ushqyerja e mirë, menaxhimi i stresit dhe kujdesi për zorrën mund të ndihmojnë në përmirësimin e humorit. Por këto nuk janë kura për depresionin apo ankthin”, ka thënë Ngo.
Një studim i vitit 2024 në Frontiers in Pharmacology ka sugjeruar se probiotikët mund të ulin inflamacionin dhe të përmirësojnë funksionin njohës.
“Ka prova që ndryshimi i mikrobiomës me probiotikë, prebiotikë, dietë apo madje edhe transplante fekale mund të ndihmojë shëndetin mendor. Efekti më i fortë duket te simptomat e depresionit, por studimet ende janë të vogla”, ka thënë Ziegelstein.
Transplanti fekal (ose më saktë transplanti i mikrobiotës fekale) është një procedurë mjekësore që përdoret për të rivendosur ekuilibrin e baktereve të shëndetshme në zorrë. Në këtë proces, fecesi i një personi të shëndetshëm, që përmban mikroorganizma të dobishëm (baktere, viruse dhe kërpudha), transferohet në zorrën e një personi tjetër që ka çrregullim të florës bakteriale (mikrobiotës).
Ky transplant zakonisht bëhet përmes: kolonoskopisë, klizmës, tubat nazogastrikë (nga hunda deri në zorrë), ose më së fundi edhe përmes kapsulave që përmbajnë materialin e përpunuar).
Kwok e sheh ndryshimin e dietës si pikënisje të mirë.
“Nëse filloni të ushqeheni më shëndetshëm, mikrobioma juaj ndryshon brenda disa ditësh. Ndryshimet më të thella ndodhin pas disa muajsh, dhe humorin mund ta ndjeni përmirësim gradualisht”, ka thënë Kwok.
Në fund, ekspertët theksojnë se kujdesi për zorrën nuk zëvendëson trajtimet profesionale, por mund të jetë shtesë e vlefshme.
“Shëndeti nuk është njësoj për të gjithë. Udhëzimi nga një mjek i besuar mund t’ju ndihmojë të gjeni mënyrën më të mirë për të përmirësuar trupin dhe mendjen tuaj”, ka përfunduar Ngo.