Aparatet e dëgjimit OTC nuk janë të destinuara për njerëzit me humbje më të thellë të dëgjimit, e cila mund të përfshijë ata që kanë probleme me dëgjimin e zhurmave më të forta, si veglat elektrike dhe makinat. Ato gjithashtu nuk janë për njerëzit që humbin dëgjimin e tyre papritur ose vetëm në një vesh, ka shpjeguar Sterling Sheffieldit, audiolog që jep mësim në Universitetin e Floridas. Këta njerëz duhet ta vizitojnë mjekun
Tani është shumë më e lehtë - dhe më e lirë - për shumë amerikanë me vështirësi në dëgjim që të marrin ndihmë.
Aparatet e dëgjimit tani mund të shiten pa recetë nga specialisti. Aparatet e dëgjimit pa recetë, ose OTC, kanë filluar të dalin në treg në tetor me çmime që mund të jenë mijëra dollarë më të ulëta se aparatet e dëgjimit me recetë.
Sipas Administratës së Ushqimit dhe Barnave, rreth 30 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara përballen me humbjen e dëgjimit. Por vetëm rreth 20% e atyre që mund të përdorin një aparat dëgjimi kërkojnë ndihmë.
Kush mund të ndihmohet?
FDA-ja ka miratuar aparatet e dëgjimit OTC për të rriturit me humbje dëgjimi të butë deri në mesatare. Kjo mund të përfshijë njerëz që kanë probleme me dëgjimin e telefonatave ose që e ngrenë volumin e televizorit aq shumë sa të ankohen të tjerët.
Mund të përfshijë gjithashtu njerëz që kanë probleme me të kuptuarit e bisedave në grup në vende të zhurmshme.
Aparatet e dëgjimit OTC nuk janë të destinuara për njerëzit me humbje më të thellë të dëgjimit, e cila mund të përfshijë ata që kanë probleme me dëgjimin e zhurmave më të forta, si veglat elektrike dhe makinat. Ata gjithashtu nuk janë për njerëzit që humbën dëgjimin e tyre papritur ose vetëm në një vesh, ka shpjeguar Sterling Sheffieldit, audiolog që jep mësim në Universitetin e Floridas. Këta njerëz duhet ta vizitojnë mjekun.

Testi i dëgjimit
Para se t’i merrni pa recetë, zakonisht ju duhej ta bëni një test dëgjimi dhe të blini aparate dëgjimi nga një specialist. Nuk është më kështu.
Por mund të jetë e vështirë për njerëzit që ta vlerësojnë dëgjimin e tyre. Ju ende mund të zgjidhni ta vizitoni një specialist vetëm për atë test, i cili shpesh mbulohet nga sigurimi, dhe më pas t’i blini vetë ndihmat.
Ekzistojnë gjithashtu një numër aplikacionesh dhe pyetësorë të disponueshëm për të përcaktuar nëse keni nevojë për ndihmë. Disa shitës pa recetë ofrojnë gjithashtu një vlerësim të dëgjimit ose test në internet.
Kush po i shet?
Disa shitës të mëdhenj tani ofrojnë aparate dëgjimi OTC në internet dhe në raftet e dyqaneve.
Barnatore “Walgreens”, për shembull, po shesin aparate dëgjimi “Lexie Lumen” në mbarë vendin për 799 dollarë. “Walmart” ofron aparate dëgjimi OTC që variojnë nga rreth 200 deri në 1000 dollarë për palë. Qendrat e saj shëndetësore do të ofrojnë teste të dëgjimit.
Zinxhiri i pajisjeve elektronike të konsumit Best Buy ka aparate dëgjimi OTC të disponueshme në internet dhe në gati 300 dyqane. Kompania ofron gjithashtu një vlerësim të dëgjimit në internet dhe punonjësit e dyqaneve trajnohen për fazat e humbjes së dëgjimit dhe mënyrën e përshtatjes së pajisjeve.
Në përgjithësi ka dhjetëra prodhues që prodhojnë modele të ndryshme të aparateve të dëgjimit OTC.
Pajisjet e reja do të përbëjnë pjesën më të madhe të tregut OTC teksa ai zhvillohet, ka bërë të ditur Sheffield. Disa mund të jenë aparate dëgjimi që më parë kërkonin një recetë, ato që janë të përshtatshme vetëm për njerëzit me humbje të lehtë deri në mesatare të dëgjimit.
Blerësit duhet të presin që shumë pajisje të hyjnë dhe të dalin nga tregu, ka theksuar Catherine Palmer, eksperte e dëgjimit në Universitetin e Pitsburgut.
“Do të kalojë shumë kohë para se kjo të rregullohet”, është shprehur ajo.
Çka të kërkohet?
Kërkoni etiketën OTC në kuti. Aparatet e dëgjimit të miratuara nga FDA-ja për shitje pa recetë duhet të etiketohen me OTC.
Kjo do t’ju ndihmojë të dalloni aparatet e dëgjimit OTC nga pajisjet më të lira të emërtuara nganjëherë përforcues të tingullit ose dëgjimit - të quajtur një produkt personal për amplifikimin e zërit ose PSAP. Teksa tregtohen shpesh për të moshuarit, ato janë krijuar për të bërë tinguj më të fortë për njerëzit me dëgjim normal në mjedise të caktuara, si gjuetia. Dhe amplifikatorët nuk i nënshtrohen rishikimit të FDA-së.
“Njerëzit me të vërtetë duhet t’i lexojnë përshkrimet”, ka thënë Barbara Kelley, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës së Humbjes së Dëgjimit të Amerikës.
Dhe kontrolloni politikën e kthimit. Kjo është e rëndësishme sepse njerëzve në përgjithësi u duhen disa javë për t’u mësuar me to dhe për t’u siguruar që ata të punojnë në situatat ku kanë më shumë nevojë për to. Kjo mund të përfshijë në telefon ose në zyra apo restorante të zhurmshme.
A ofron kompania që shet pajisje OTC udhëzime ose një aplikacion për të ndihmuar me konfigurimin, përshtatjen dhe rregullimet e zërit? Një specialist mund të ndihmojë gjithashtu, por prisni të paguani për atë vizitë në zyrë, e cila rrallë mbulohet nga sigurimi.
Çmimet e aparateve
Shumica e aparateve të dëgjimit OTC do të kushtojnë midis 500 dhe 1500 dollarë për një palë, ka thënë Sheffield. Ai vuri në dukje se disa mund të shkojnë deri në 3 mijë dollarë.
Dhe nuk është një shpenzim i vetëm. Ato mund të duhet të zëvendësohen çdo pesë vjet ose më shumë.
Specialistët e dëgjimit thonë se çmimet OTC mund të bien më tej teksa pajisjet shtohen në treg. Por ato tashmë janë përgjithësisht më të lira se homologet e tyre me recetë, të cilat mund të kushtojnë më shumë se 5 mijë dollarë.
Lajmi i keq është se mbulimi i sigurimit të aparateve të dëgjimit është i paqartë. Disa plane të “Medicare Advantage” ofrojnë mbulim të pajisjeve që kanë nevojë për recetë, por “Medicare” i rregullt jo. Ka zbritje atje, duke përfshirë disa të ofruara nga siguruesi i Medicare Advantage UnitedHealthcare në partneritet me AARP-në.
Blerësit gjithashtu mund të paguajnë për pajisjet me para të lëna mënjanë në llogaritë e kursimeve shëndetësore.
Mos u përpiqni të kurseni para duke blerë vetëm një aparat dëgjimi. Njerëzit duhet të kenë të njëjtin nivel dëgjimi në të dy veshët, në mënyrë që të kuptojnë se nga vjen një tingull, ka shpjeguar Akademia Amerikane e Audiologjisë.
Përktheu: Blerta Haxhiu