Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Anketa “Gjendja e shkencës” sugjeron se është e nënvlerësuar

"Befasia më e madhe ishte se 4 nga 10 njerëz thanë se sikur shkenca të mos ekzistonte, jeta e tyre do të ishte e njëjtë", tha Jayshree Seth, avokuesja kryesore e shkencës në 3M.

Një hulumtim, anketë e re e financuar nga kompania kimike dhe prodhuese 3M sugjeron se "shkenca" është e nënvlerësuar prej popullsisë së botës.

"Ne donim të kuptonim se cili ishte pulsi i shkencës, cili ishte mendimi rreth shkencës në të gjithë globin", tha Jayshree Seth, avokuesja kryesore e shkencës në 3M, transmeton koha.net.

Në shumë mënyra, të anketuarit ofruan mesazhe të përziera. Shumica janë optimistë në lidhje me aftësinë e shkencës për t’i zgjidhur problemet, dhe shumica thanë se do t’i inkurajojnë fëmijët e tyre që ta ndjekin një diplomë shkence apo një karrierë të lidhur me shkencën. Por vetëm gjysma e të anketuarve thanë se ishin pishman që nuk e kishin ndjekur karrierën në shkencë.

Shumë prej tyre mbeten skeptikë për premtimin e shkencës. Më shumë se 40 përqind besojnë se shkenca shkakton po aq probleme sa edhe zgjidh.

"Befasia më e madhe ishte se 4 nga 10 njerëz thanë se sikur shkenca të mos ekzistonte, jeta e tyre do të ishte e njëjtë", tha Seth. "Përgjigjet sugjerojnë për një mungesë të vetëdijes dhe mirënjohjes për përfitimet nga shkenca".

Pothuajse një e treta e të gjithë të anketuarve thanë se janë skeptikë për shkencën, dhe 20 për qind nuk u besojnë shkencëtarëve. Rreth 36 për qind thanë se një karrierë në shkencë ishte e mundur vetëm për "gjenitë".

Anketa, e kryer nga Ipsos, një firmë kërkimore shkencore globale, u parashtroi pyetje rreth shkencës 14,036 të rriturve që jetonin në 14 vende.

Të anketuarit në vendet në zhvillim – vendet me ekonomi më pak të pjekura, por që po zgjerohen shpejt - kishin më shumë të ngjarë të ishin optimistë për avancimet shkencore dhe mundësinë për përparime si automobilat fluturues dhe manipulimi i motit.

Seth dhe kolegët e saj në 3M shpresojnë se studimi do të shërbejë si katalizator për debatet rreth vlerës së shkencës, dhe se këto debate mund të çojnë në zgjidhje rreth asaj se si ta bëjnë shkencën më të arritshme për të gjithë. Duhet bërë më shumë punë për ta adresuar edhe boshllëkun gjinor në shkencë, tha Seth.

Mënjanimi i pengesave për vlerësimin dhe pjesëmarrjen e shkencës është jetësor për ta frymëzuar gjeneratën e ardhshme të zgjidhësve të problemeve.

"Ne kemi nevojë për një sistem të fortë inovacioni me të menduar të ndryshëm për t’i zhbllokuar sekretet e një të ardhmeje të qëndrueshme", tha Seth.

Artikuj të ngjashëm