Lifestyle

Andoneta Selimi, vajza që e ka kthyer në treg punimin me kasnak

Shumë punime dore tradicionale ka kohë që nuk punohen, por dita-ditës puna e dorës po rikthehet dhe po vlerësohet në tregun tonë. Andoneta Selimi nga Gjilani, si hobi apo punë të dytë e ka zgjedhur punën me kasnak me gjilpërë.

Ajo po sjell punime unike, të cilat nuk janë diçka që mund ta blesh çdo ditë, por më shumë shërbejnë si kujtim apo dhuratë shumë e veçantë. Dëshira e Selimit për punimet e dorës nuk ka lindur rastësisht, por ajo e ka mësuar këtë zanat nga gjyshja dhe nëna e saj, duke e vazhduar kështu edhe traditën e familjes, transmeton emisioni Express në KTV.

Inspirimi i punimit në kasnak, i erdhi me rastin e ditëlindjes së një familjari, me ç’rast ajo kishte dashur që t’i dhurojë diçka sa më unike dhe punim dore.

Materialet e nevojshme për këto punime blihen në dyqane të ndryshme të posaçme për këto gjëra, ndërsa ngjyrat që ajo i përdor varen nga kërkesat e klientit apo porosive.

Andoneta Selimi tutje tregon për procesin e punës që nuk është fare i lehtë dhe i merr kohë deri në një javë.

Kohëve të fundit, idetë dhe inspirimi për punime të ndryshme shumica po i gjejnë në Instagram, por Andoneta Selimi tregon se puna e dorës nuk vlerësohet aq sa duhet.

Kur jemi te çmimet, gjithmonë punimet e dorës vlerësohen më shumë, por varësisht nga punimi dhe kërkesa e klientit.

Një punim i bërë me kasnak, me përkushtim dhe dashuri, ka një imazh dhe domethënie mjaft interesante.