Nëse vuani nga depresioni dhe ankthi, e dini që në momente të caktuara gjëja e fundit që dëshironi ta bëni, është ta lëvizni trupin tuaj apo të merreni me ndonjë aktivitet. Por, ushtrimet fizike mund të luajnë rol kyç në menaxhimin e simptomave tuaja, falë lidhjes së fuqishme mes shëndetit fizik dhe mendorë.
Derisa gjithmonë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj rreth opsioneve të trajtimit nga depresioni, sidomos para se ta filloni ndonjë program të ushtrimeve fizike, Ben Michaelis, psikolog evolucionar klinik dhe autor i librit “Your Next Big Thing: 10 Small Steps to Get Moving and Get Happy”, thotë se të rriturit duhet ta kalojnë një sasi standarde të kohës duke ushtruar.
Edhe agjencia “US Department of Health and Human Services”, sugjeron që të rriturit duhet të ushtrojnë dy orë e gjysmë deri në pesë orë në javë, transmeton Koha.
Pra, është e qartë se përfshirja e ushtrimeve fizike të çfarëdo lloji në rutinën ditore, është tejet e rëndësishme, por ka ushtrime të cilat mund të ndihmojnë më mirë në shëndetin mendorë.
Hulumtuesit dhe ekspertët e kësaj fushe i sugjerojnë këto tri aktivitete në veçanti, për të ndihmuar në lehtësimin e simptomave të depresionit dhe ankthit.
Vrapimi
Ekziston arsyeja pse shpesh keni dëgjuar se vrapimi, është një prej aktiviteteve fizike më të mira për shëndetin.
Ndihmon në djegien e kalorive, e zvogëlon dëshirën për ushqim dhe e ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Sipas një hulumtimi të kryer para ca vjetësh u konstatua se, vrapimi për vetëm pesë minuta në ditë mund të kontribuojë edhe në jetëgjatësinë tuaj.
Përveç të mirave fizike, është vërtetuar se vrapimi në shumë mënyra ndihmon në përmirësimin e disponimit të njeriut, si dhe shërben si efekt meditues për trurin.
Dobitë mendore që vrapimi i sjell mund të kenë ndikim edhe më të fuqishëm tek personat që vuajnë nga depresioni. Gjithashtu, vrapimi i rregullt e bënë më të lehtë gjumin e natës, çka në përgjithësi kontribuon në përmirësimin e memories, uljen e stresit ditorë si dhe ofron mbrojtje nga depresioni.
Ecja në mal
Për t’i rritur dobitë e shëndetit mendorë të cilat i shkaktojnë aktivitetet që iu bëjnë të djersiteni, atëherë duhet ta konsideroni ecjen nëpër mal.
Në një studim të publikuar në gazetën mjekësore, “Environmental Health and Preventive Medicine”, disa shkencëtarë japonez i kishin dërguar pjesëmarrësit e hulumtimit të tyre për të ecur në mal ose zona urbane. Kështu, ata kishin zbuluar se personat që kishin ecur për 20 minuta në mal, kishin nivele më të ulëta të stresit në organizëm, krahasuar me ata që kishin ecur në qytet.
Gjithashtu së fundmi është vërtetuar se njerëzit që i kalojnë rreth 50 minuta në javë duke ecur në mal, ndihen më pak të shqetësuar dhe kanë përmirësim të funksionit të memories.
Yoga
Një tjetër aktivitet që mund të duket më i lehtë, por që është njësoj i efektshëm për shëndetin tuaj mendorë, sikurse vrapimi dhe ecja në natyrë, është yoga.
Është konstatuar se personat që ndjekin klasa të yogas, përjetojnë reduktim domethënës të depresionit, zemërimit, ankthit dhe simptomave tjera të nervozës.
Madje këto rezultate pozitive të yogas, kanë bërë që hulumtuesit t’i rekomandojnë këto ushtrime për trajtimin e depresionit.