Lifestyle

Ajri brenda shtëpive përmban mikroplastika që futen thellë në mushkëri

Ajri brenda shtëpive

Ajri brenda shtëpive

Një studim i ri ka zbuluar se ajri që thithim brenda shtëpive dhe makinave, përmban mijëra grimca mikroplastike aq të vogla sa mund të depërtojnë thellë në mushkëri, ka raportuar CNN.

Këto grimca vijnë nga degradimi i materialeve plastike në ambiente të brendshme, si tapetet, perdet, mobiliet, rrobat dhe pjesët plastike të makinës.

“Njerëzit kalojnë rreth 90% të kohës në ambiente të mbyllura, duke u ekspozuar ndaj ndotjes nga mikroplastikat pa e kuptuar fare”, kanë deklaruar studiuesit Jeroen Sonke dhe Nadiia Yakovenko

Ata paralajmërojnë se kjo ndotje mund të jetë një “kërcënim i padukshëm” për shëndetin, që sapo po fillon të kuptohet.

Sa grimca thith njeriu çdo ditë?

Studimi, i publikuar në revistën PLOS One, ka zbuluar se një i rritur mund të thithë deri në 68,000 mikroplastika në ditë, një shifër 100 herë më e lartë nga sa pritej më parë. Për krahasim, një qelizë e kuqe gjaku ka përmasat 6 deri në 8 mikrometra, ndërsa shumica e mikroplastikave të gjetura ishin nga 1 deri në 10 mikrometra.

“Sa më të vogla grimcat, aq më të rrezikshme janë për shëndetin”, ka thënë ekspertja Sherri Mason, një nga të parat që ka studiuar mikroplastikat në ujin e ambalazhuar.

Grimca të tilla janë zbuluar tashmë në testikujt e njerëzve, në gjak, mushkëri, mëlçi, urinë, jashtëqitje, madje edhe në qumështin e gjirit dhe placentë. Një studim tjetër që u publikua në muajin mars 2024 tregoi se personat me mikroplastika në arterie kishin dyfish më shumë rrezik për infarkt apo vdekje të parakohshme.

Vetura si burim kryesor ndotjeje

Sonke dhe ekipi i tij matën grimcat plastike në apartamente dhe vetura personale në Francë. Në ajrin brenda veturës, ata gjetën 2,238 grimca për metër kub, krahasuar me 528 grimca për metër kub në ambiente të brendshme shtëpie.

“Veturat janë hapësira të vogla, me shumë plastikë dhe ventilim të kufizuar, gjë që i bën burime të fuqishme ndotjeje me mikroplastikë. Dritaret, panelet, timoni, tapiceria, të gjitha janë burime të mundshme të këtyre grimcave”, shpjegojnë studiuesit.

A është i besueshëm studimi?

Kimberly Wise White nga Këshilli Amerikan i Kimikateve, që përfaqëson industrinë e plastikës, ka shprehur rezerva për studimin.

 “Mostra është shumë e vogël dhe pranon një nivel ndotjeje prej 18 për qind, gjë që ngre pikëpyetje për saktësinë e të dhënave”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ekspertë të pavarur si profesori Wei Min nga Universiteti Columbia dhe profesori Matthew Campen nga Universiteti i New Meksikos e vlerësuan analizën si të saktë dhe të rëndësishme.

Rreziku nga nanoplastikat

Studimi aktual nuk mundi të maste grimcat më të vogla, nanoplastikat, që janë edhe më të rrezikshme. Ato mund të futen brenda qelizave dhe organeve, duke sjellë pasoja afatgjata si çrregullime hormonale, probleme në tru, sëmundje të zemrës dhe madje kancer.

Si të mbrohemi nga mikroplastikat?

Ekspertët këshillojnë disa hapa praktikë për të zvogëluar ekspozimin:

-Hiqni qeset plastike, përdorni qese prej pëlhure ose letre për blerje.

-Mos e ngrohni ushqimin në enë plastike, transferojeni në enë qelqi para se ta fusni në mikrovalë.

-Përdorni shishe qelqi ose metali në vend të atyre plastike.

-Merrni gotën dhe lugët tuaj në punë apo kafene për të shmangur enët plastike njëpërdorimshe.

-Kërkoni që rrobat nga pastrimi kimik të mos vijnë të mbështjella me qese plastike, por në çanta me pëlhurë që janë të ripërdorshme.

“Ka disa lloj plastikash që nuk mund t’i shmangni, si kompjuterët apo telefonat. Por përpiquni të shmangni ato që mundeni, sidomos ato njëpërdorimshe”, ka thënë doktori Philip Landrigan, pediatër dhe autor i një raporti global për plastikën dhe shëndetin.