Lifestyle

8 ushqime që rekomandohet t’i konsumoni më shpesh nëse merrni Ozempic

Ushqimi i shëndetshëm

Ushqimi i shëndetshëm

Më shumë se 70 për qind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara klasifikohen si persona me mbipeshë ose obez. Me përhapjen gjithnjë e më të madhe të barnave të diabetit, GLP-1, për humbje peshe, shumë njerëz po i përdorin këto medikamente si pjesë të kujdesit për shëndetin e tyre. Sipas të dhënave të fundit, rreth 12 për qind e të rriturve amerikanë kanë përdorur një medikament GLP-1, si Ozempicu.

Ozempic, i njohur edhe si semaglutide, është një medikament që ndihmon në kontrollin e oreksit dhe nivelit të sheqerit në gjak, ka shkruar EatingWell.

“Funksionon duke ngadalësuar tretjen, kështu që ndiheni të ngopur për më gjatë, stimulon lirimin e insulinës për të ulur sheqerin në gjak dhe vepron në qendrat e oreksit në tru për të reduktuar urinë dhe dëshirat për ushqim”, ka shpjeguar dietologia Lauren Harris-Pincus.

Ani pse këto barna janë efektive, ajo që hani mbetet shumë e rëndësishme, sidomos kur oreksi bie. Dietologia Lainey Younkin ka theksuar se personat që marrin GLP-1 duhet të jenë më të kujdesshëm me zgjedhjet ushqimore dhe të fokusohen te ushqimet me vlera ushqyese.

Studimet tregojnë se shumë persona që përdorin barna për humbje peshe kanë mungesa të rëndësishme të fibrave, kalciumit, hekurit, magnezit, kaliumit, si dhe vitaminave A, C, D dhe E. Poashtu, ata shpesh konsumojnë më pak fruta, perime, drithëra dhe produkte qumështi, ndërsa më shumë yndyrë sesa rekomandohet.

Për këtë arsye, dietologët rekomandojnë zgjedhjen e ushqimeve që ofrojnë sa më shumë vlera ushqyese edhe në porcione të vogla.

Ja 8 ushqime që këshillohet të përfshihen rregullisht në dietë nëse dikush merr Ozempic ose medikamente të ngjashme:

Frutat e malit (boronica, mjedra, luleshtrydhe)

Ani pse të vogla, këto fruta janë shumë të pasura me fibra dhe antioksidantë.

“Frutat e malit përmbajnë antocianina, antioksidantë që ndihmojnë në uljen e inflamacionit. Një filxhan mjedra ka rreth 8 gramë fibra”, ka thënë Harris-Pincus.

Këto fibra ndihmojnë ndjesinë e ngopjes dhe shëndetin e zorrëve. Sipas Younkin, konsumimi i tyre lidhet edhe me më pak yndyrë në zonën e barkut dhe me shëndet më të mirë metabolik. Janë po aq ushqyese si të freskëta, ashtu edhe të ngrira.

Fasulet

Fasulet janë shumë të pasura me proteina, fibra, vitamina dhe minerale. Gjysmë filxhani fasule të zeza të gatuara përmban rreth 7 gramë proteina dhe 8 gramë fibra.

“Kombinimi i proteinës dhe fibrave ndihmon ndjesinë e ngopjes dhe tretjen e rregullt”, ka shpjeguar Harris-Pincus.

Ato përmbajnë edhe lëndë ushqyese që shpesh mungojnë te përdoruesit e Ozempicut, si folati, hekuri dhe kaliumi.

Mishi i pulës

Pula është shumë e përdorur në programet për humbje peshe, sepse është e pasur me proteina dhe e varfër në yndyrë.

Një porcion prej 85 gramësh mish pule ofron rreth 24 gramë proteina dhe vetëm 120 kalori.

“Proteina ju mban të ngopur dhe ndihmon në ruajtjen e masës muskulore”, ka thënë Younkin.

Peshqit e yndyrshëm

Peshqit si salmoni, sardelet, skumbria dhe toni rekomandohen të paktën dy herë në javë.

“Këta peshq janë të pasur me omega-3, të cilat lidhen me shëndet më të mirë të zemrës dhe metabolizmit”, ka shpjeguar dietologia Younkin.

Ata ofrojnë gjithashtu proteina cilësore, shumë të rëndësishme kur oreksi është i ulur.

Kosi i trashë

Një filxhan kos grek përmban rreth 25 gramë proteina dhe një sasi të konsiderueshme kalciumi.

“Është bazë shumë e mirë për një vakt të shëndetshëm, sidomos kur kombinohet me fruta, fara dhe drithëra”, ka thënë Harris-Pincus.

Disa lloje përmbajnë edhe probiotikë, që ndihmojnë shëndetin e zorrëve.

Tërshëra

Tërshëra është e pasur me fibra të tretshme që ndihmojnë tretjen dhe ulin nivelin e yndyrës së dëmshme në gjak.

“Gjysmë filxhani tërshërë ka rreth 4 gramë fibra, më shumë se një filxhan brokoli”, ka shpjeguar Younkin.

Fibra ndihmon në ndjenjën e ngopjes dhe parandalon kapsllëkun, një efekt anësor i shpeshtë i Ozempicut.

Kumbullat e thata

“Kumbullat ndihmojnë tretjen, gjë që është shumë e rëndësishme për personat që marrin GLP-1”, ka thënë Harris-Pincus.

Ato përmbajnë gjithashtu vitamina dhe minerale që ndihmojnë shëndetin e eshtrave. Një porcion prej 4-5 kumbullash ofron rreth 3 gramë fibra.

Perimet
Sa më shumë larmi perimesh, aq më mirë.

“Ngjyrat e ndryshme ofrojnë antioksidantë të ndryshëm që ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe shëndetin e zorrëve. Kjo sjell më shumë përfitime sesa të mbështetesh vetëm te Ozempicu”, ka shpjeguar Younkin.

Këshilla shtesë për personat që marrin Ozempic:
- Punoni me një dietolog për t’u siguruar që po merrni të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme.
- Ushtrimet e forcës janë shumë të rëndësishme.

“Trajnimi i muskujve është i domosdoshëm kur merrni Ozempic”, ka thënë Younkin, pasi humbja e peshës mund të shoqërohet edhe me humbje muskulore.
- Pini mjaftueshëm ujë, pasi hidratimi ndihmon në parandalimin e kapsllëkut.