Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

8 qershori, Dita Botërore e Oqeaneve

Dita Botërore e Oqeaneve festohet çdo vit më 8 qershor në mbarë globin. Oqeanet përbëjnë mbi 70 për qind të planetit dhe janë thelbësorë për të mbështetur dhe promovuar jetën. Degradimi i tyre mund të destabilizojë dinamikën e tokës me burimet natyrore.

Kombet e Bashkuara do të nxjerrin në pah temën Rivitalizimi: Veprimi Kolektive për Oqeanin në Ditën Botërore të Oqeaneve, më 8 qershor 2022.

Sipas OKB-së, oqeanet prodhojnë rreth 50 për qind të oksigjenit të planetit dhe janë shtëpia e biodiversitetit të tokës. Është burimi kryesor i proteinave për mbi 1 miliard njerëz në botë. Deri në vitin 2030, rreth 40 milionë njerëz do të fitojnë jetesën duke u punësuar në industritë e bazuara në oqean.

Oqeanet thithin gjithashtu gati 30 për qind të dyoksidit të karbonit të prodhuar nga njerëzit, gjë që ndihmon në zbutjen e ngrohjes globale.

Megjithatë, me kalimin e viteve, oqeanet përjetuan 90 për qind varfërim të popullatave të mëdha të peshqve dhe 50 për qind shkatërrim të shkëmbinjve koralorë për shkak të aktiviteteve të pamatura njerëzore.

Dita Botërore e Oqeaneve shënohet si një kujtesë çdo vit për shkatërrimin e shkaktuar nga plehrat dhe deponimi i ujërave të zeza dhe rrjedhjet e naftës.

Qëllimi i ditës është të rrisë ndërgjegjësimin e njerëzve për “ndikimin e veprimeve njerëzore në oqean” dhe të mobilizojë qytetarët për menaxhimin e tyre të qëndrueshëm.

Koncepti i Ditës Botërore të Oqeaneve u propozua për herë të parë nga OKB-ja në vitin 1992 në Samitin e Tokës në Rio de Zhaneiro. U sugjerua që të festohej një ditë për të rritur ndërgjegjësimin për rolin vendimtar që luajnë oqeanet në jetën tonë dhe mënyrat në të cilat njerëzit mund të ndihmojnë në mbrojtjen e tyre.

Që nga viti 2002, Rrjeti Botëror i Oqeanit ka ndërtuar mbështetje për ngjarjet e ndërgjegjësimit për oqeanin më 8 qershor me ndihmën e sponsorizimit nga Komisioni Ndërqeveritar Oqeanografik i UNESCO-s.

Më 5 dhjetor 2008, Asambleja e Përgjithshme e KB miratoi një rezolutë për të caktuar këtë ditë.

Përveç UNESCO-s, agjenci të tjera nën kujdesin e OKB-së si Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) dhe FAO gjithashtu punojnë për të mbrojtur ekosistemet detare dhe bregdetare./KP

Artikuj të ngjashëm