Industria e bukurisë nuk është e vogël; nga kozmetika te trajtimet e fytyrës, stilimi i flokëve dhe terapitë e lëkurës, ka një numër të madh mënyrash për të ndihmuar që njerëzit të duken dhe të ndihen më mirë, raportoi të dielën “The Sun”.
Shumë njerëz kanë zakone e rutina të bukurisë që u përmbahen pa menduar fare, të tilla si vizita në sallonin e manikyrit e pedikyrit.
Por a po shkaktojnë disa nga këto zakone potencialisht probleme për shëndetin?
1. Mospastrimi i rregullit i brushave të grimit
Shkencëtarja e kozmetikës Carly Musleh, thotë se shumë njerëz përdorin brushat e kozmetikës çdo ditë për të aplikuar një sërë produktesh të ndryshme, por shpesh i lëmë javë ose muaj pa i pastruar.
“Studimet kanë treguar se brusha e make-up-it mund të përmbajë qeliza të vdekura të lëkurës, vaj dhe baktere të cilat mund të transferohen midis produktit dhe fytyrës. Për më tepër, ku dhe si ruhen ato mund të shtojë implikime të mëtejshme”.
Megjithëse jo të gjitha bakteret janë të dëmshme, mikrobioma e lëkurës së njeriut përmban shumë lloje të ndryshme mikrobesh të cilat mund të ndihmojnë në ruajtjen e një pengese të shëndetshme të lëkurës dhe ta mbrojë nga mikrobet që mund të shkaktojnë infeksione.
“Pastroni rregullisht brushat e grimit. Sigurohuni që të pastroni qendrën dhe drejt bazës së brushës, pasi mund të jetë vendi ku grumbullohen bakteret. Pas larjes, lërini të thahen ose anash ose me kokë poshtë dhe ruajini në enë të mbyllura për të zvogëluar rrezikun e ndotjes nga objekte të tjera ose grimca të ajrit”, ka thënë Musleh.
2. Përdorimi i shezlongëve
Sipas Cancer Research UK, përdorimi i shtretërve të diellit mund të rrisë rrezikun e kancerit të lëkurës melanoma me 20 për qind. Është rrezatimi UV i emetuar nga shtretërit e diellit që mund të dëmtojë ADN-në në lëkurë, duke shkaktuar potencialisht kancer.
Shezlongët lëshojnë një UV me intensitet të lartë, i cili mund të ofrojë një nxirje më të shpejtë sesa qëndrimi ulur jashtë, por përbën një rrezik të lartë.
Cancer Research UK ka konfirmuar se çdo vitaminë D që mund të merret me përdorimin e një shtrati dielli tejkalohet nga efektet e dëmshme të shtretërve të diellit.
3. Përdorimi i xhelit në thonj
Shoqata Britanike e Dermatologëve ka paralajmëruar se kimikatet e përdorura në lustrimet e xhelit mund të shkaktojnë alergji.
Plus, llambat UV të përdorura për të siguruar që llaku xhel të qëndrojë i vendosur mund të çojë në mutacione që shkaktojnë kancer.
Përveç kësaj, ekspertja e thonjve në Mavala, Lynn Mason, shton se kur thonjtë me xhel nuk aplikohen në mënyrë korrekte, ato mund të shkaktojnë që thonjtë të krisen apo edhe të dobësohen.
4. Mbajtja e qerpikëve fals
Megjithëse nuk priren të shkaktojnë dëme serioze, Sujata Paul, Okuliste dhe Drejtuese Klinike e Shërbimeve Profesionale në Lenstore, thotë se është e rëndësishme të dihet se sa herë që ka një objekt të huaj pranë syrit, ekziston një faktor rreziku.
Ajo shton se problemet më të zakonshme të shkaktuara nga qerpikët fals janë infeksionet e syve, reaksionet alergjike, dëmtimet e syve dhe dëmtimi i qerpikëve natyralë.
“Infeksionet mund të ndodhin kur bakteret mblidhen poshtë ngjitësit të qerpikëve dhe në vetë qerpikët e rremë. Nëse ruani dhe ripërdorni qerpikët tuaj të rremë ekziston rreziku që bakteret e dëmshme dhe papastërtitë të hyjnë në sy. Reaksionet alergjike ndaj qerpikëve mund të shkaktojnë pickim, djegie, ënjtje ose skuqje”, ka thënë ajo.
5. Lënia e make-up-it gjatë natës
“Mos heqja e make-up-it mund të çojë në bllokim të poreve, puçrra fytyre dhe lëkurë me teksturë”, thotë doktoresha Arora. “Kjo gjithashtu mund të çojë në kufizimin e procesit të rinovimit të lëkurës që ndodh brenda natës”.
Ajo ka shtuar se lënia e make-up-it për periudha të gjata kohore mund të rrisë rrezikun për lëkurë të irrituar.
“Është e rëndësishme të pastroni lëkurën në mënyrë adekuate dhe të merrni në konsideratë përdorimin e një pajisjeje higjienike për të siguruar një rutinë të përshpejtuar pastrimi”, ka thënë ajo.
Sujata shton se lënia e grimit të syve kur shkoni në shtrat do të thotë se po ftoni bakteret në sy.
“Çdo lloj bakteri që futet në sy mund të shkaktojë disa komplikime të shikimit dhe syve”, është shprehur ajo.
6. Përdorimi i produkteve të vjetruara të lëkurës
Ashtu si brushat e ndotura të kozmetikës që mund të jenë një terren për baktere të këqija, edhe vetë produktet e kozmetikës mund të mbajnë papastërti.
“Është e rëndësishme të mos përdorni produkte me afat të skaduar. Këto produkte mund të grumbullojnë baktere dhe për këtë arsye mund të jenë të dëmshme për lëkurën”, ka thënë doktoresha Arora.