Lifestyle

Gjatë dimrit ajri i ndotur edhe brenda shtëpive

Një studim i ri thotë se ajri i keq brenda shtëpive gjatë stinës së dimrit vjen si pasojë e të gatuarit më shumë gjatë kësaj kohe, sidomos gjatë periudhës festive, raporton FemaleFirst.

Në këtë përfundim kanë ardhur disa studiues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilët kanë monitoruar 4000 mijë shtëpi.

Ata kanë gjetur ajri në shtëpi është i ndotur 50% më shumtë gjatë periudhës festive, për shkak se gatuhet shumë shpesh në shtëpi, krahasuar me periudhën verore.

"Ndërsa muajt e dimrit bëhen gjithnjë e më të ftohtë, ne kalojmë më shumë kohë në shtëpi dhe më shumë gatim, kjo gjë ndryshon ajrin që thithim. Në studimin e të dhënave të cilësisë së ajrit në mijëra shtëpi, shohim se aktivitetet që zhvillohen brenda shtëpive, të cilat prodhojnë grimca, bëhen më të shpeshta në dimër dhe gjatë festave për të cilat gatuhet, siç janë Krishtlindjet”, ka thënë David Lunderberg, i cili drejtoi studimin që u publikua në Universitetin e Kalifornisë.

Ai ka thënë gjithashtu se ky studim konfirmon rezultatet e kërkimeve të mëparshme që identifikojnë aktivitetet njerëzore, veçanërisht gatimin, si burime të rëndësishme të grimcave të dëmshme në ajrin brenda shtëpive.

Sipas studimit ndotja e ajrit brenda shtëpive shkaktohet nga djegia e burimeve të ngurta të karburantit si dru zjarri, mbeturina e gjësende të ndryshme, për gatim dhe ngrohje. Djegia e këtyre lëndëve, thuhet se sjell si pasojë ndotjen e ajrit që çon në sëmundje të frymëmarrjes, të cilat mund të sjellin vdekjen e parakohshme.

Ndotjen e ajrit brenda shtëpive thuhet se bëhet edhe nga “freskuesit e ajrit” me aroma të ndryshme që përdorën për aromatizim. Këto po konsiderohen si tepër të rrezikshme pikërisht për shkak të molekulave të krijuara në mënyrë artificiale për të lëshuar aromë.

Është rekomanduar që gjatë dimrit të hapen dritaret e të ajrosen sa më shumë shtëpitë.