Lifestyle

Cilat vende po i vaksinojnë fëmijët dhe pse?

Fëmijët e moshave 12 deri 15-vjeçare në Mbretërinë e Bashkuar do ta kenë mundësinë që ta marrin vaksinën kundër COVID-19, pas këshillave të zyrtarëve kryesorë mjekësorë në vend. Ata kanë rekomanduar që të rinjve t’u ofrohet një dozë e vaksinës “Pfizer”. Kurse, disa vende të tjera ka kohë që i kanë vaksinuar adoleshentët, por qasjet ndryshojnë prej shtetit në shtet.

Çfarë po ndodh në Evropë?

Në maj, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) e miratoi përdorimin e vaksinës “Pfizer” për fëmijët nga 12 deri në 15 vjeç. Që atëherë, vende të ndryshme të BE-së kanë lëvizur me shpejtësi të ndryshme. Danimarka (prej 12 deri në 15 vjeç) dhe Spanja (prej 12 deri në 19 vjeç) tashmë kanë vaksinuar shumicën e fëmijëve me të paktën një dozë të vetme, ka raportuar agjencia britanike e lajmeve BBC. Sipas saj, edhe Franca ka lëvizur shpejt me 66 për qind të atyre të moshës 12 deri në 17 vjeç që kanë marrë një dozë dhe 52 për qind të vaksinuar plotësisht. Deri në tetor pasaporta shëndetësore e vendit do të shtrihet te njerëzit nën 18 vjeç, që do të thotë se të gjithë adoleshentët do të duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit ose testin negativ për COVID-19 në mënyrë që të mund të hyjnë në vende si kinematë, muzetë, restorantet dhe qendrat tregtare, shkruan BBC.

Në qershor këshilltarët shkencorë të Gjermanisë rekomanduan që vaksina t’u ofrohet vetëm fëmijëve të moshave prej 12 deri në 15-vjeçare që kanë probleme shëndetësore. Por në gusht, pasi varianti Delta i koronavirusit filloi që të përhapet më gjerësisht, fushata e vaksinimit u shtri te të gjithë mbi 12-vjeçarët.

BBC-ja bën të ditur se në Suedi fëmijët e moshave 12 deri 15-vjeçare kanë të drejtë vetëm për një vaksinë po qe se kanë sëmundje të mushkërive, astmë të rëndë apo ndonjë sëmundje tjetër të rëndë.

Në Norvegji, vend ky që nuk është pjesë e BE-së, program i vaksinimit është zgjeruar së fundmi me fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç, por do t’u ofrohet vetëm doza e parë, kurse vendimi për dozën e dytë do të merret më vonë.

Image

SHBA: Vaksinim i obligueshëm

BBC-ja kujton se gjatë muajit maj rregullatorët amerikanë dhe ata kanadezë ishin të parët që e miratuan vaksinën “Pfizer” për fëmijët mbi 12-vjeçarë. Shtrirja e vaksinimit filloi menjëherë në të gjithë SHBA-në, me ç’rast dy doza administroheshin me tri javë diferencë.

Deri në fund të korrikut, 42 për qind e fëmijëve të moshës prej 12 deri në 17-vjeçare e kishin marrë dozën e parë dhe 32 për qind dozën e dytë të vaksinave nga kompanitë “Pfizer” dhe “Moderna”.

Përpjekja për t’i vaksinuar fëmijët u zgjeruan teksa SHBA-ja filloi që ta luftonte rritjen e infeksioneve, të nxitur nga varianti Delta. Raporti i fundit nga Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka bërë të ditur se numri i fëmijëve të shtruar në spital shkaku i COVID-19 ishte mes 3.4 dhe 3.7 herë më i lartë në shtetet që kishin shkallë të ulët vaksinimi, ka shkruar BBC.

Një pjesë e bordeve të shkollave amerikane kanë votuar për ta bërë vaksinën të detyrueshme për fëmijët e moshës mbi 12 vjeçe për ndjekjen e mësimit, pavarësisht kundërshtimeve të disa prindërve.

Në Los Angeles urdhri u zgjerua kohët e fundit te 600,000 nxënës, ndërsa në New York duhet të vaksinohet stafi, por jo edhe nxënësit.

“Pfizer”, gjithashtu, ka filluar testimin e vaksinës së saj te fëmijët edhe më të vegjël. BBC-ja raporton se rezultatet e para të testimit te fëmijët mes pesë dhe 11 vjeç priten në shtator, kurse të dhënat për foshnjat e moshës gjashtëmuajshe deri në katër vjeçe, ka të ngjarë të pasojnë deri në fund të vitit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tashmë ka theksuar se vaksinat për këtë grupmoshë mund të jenë në dispozicion “së shpejti”, pasi rregullatorët t’i rishikojnë të dhënat klinike.

Kina: Vaksina miratohet për fëmijët mbi 3-vjeçarë

Në qershor, Kina filloi që edhe fëmijëve nga tre deri në 17 vjeç t’u ofrohen vaksina të prodhuara nga prodhuesi i barnave “Sinovac”, duke u bërë vendi i parë që miratoi një vaksinë për një grupmoshë kaq të re, ka raportuar agjencia britanike.

Vendi ka përcaktuar pragun e lartë prej 80 për qind për vaksinimin e popullsisë prej më shumë se 1.4 miliardë banorësh deri në fund të vitit, një shifër kjo e pamundur për t'u arritur pa vaksinuar edhe një numër të madh të adoleshentëve nën 18 vjeç.

“Në teori vaksina kundër COVID-19 është vullnetare në Kinë, megjithëse disa qeveri lokale kanë thënë se nxënësit nuk do të lejohen të kthehen në shkollë këtë afat nëse e gjithë familja e tyre nuk është e vaksinuar plotësisht”, raporton BBC.

Vaksina “Sinovac” përdoret gjithashtu gjerësisht në shumë vende në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut. Në Kili, ajo tashmë është miratuar për përdorim te fëmijët nga gjashtë vjeç, ndërsa kompania kohët e fundit ka filluar studimet klinike për ta testuar vaksinën e saj te fëmijët e moshës nga gjashtëmuajshe deri në 17 vjeçe në Afrikën e Jugut.

India: Vaksinimi i të rriturve në rend të parë

India mendohet se e ka popullsinë më të madhe adoleshente në botë, e vlerësuar në rreth 253 milionë nga UNICEF-i. Të dhënat e fundit nga Anketa Kombëtare Serologjike sugjerojnë se rreth 60 për qind e fëmijëve kanë qenë të ekspozuar ndaj koronavirusit që nga fillimi i pandemisë dhe ka të ngjarë që ata të kenë ndërtuar njëfarë imuniteti nga infeksioni i kaluar.

Në gusht, rregullatori i barnave në vend kishte dhënë leje që të përdorej urgjentisht një vaksinë e re e zhvilluar nga firma lokale e barnave “Zydus Cadila” te të gjithë njerëzit mbi 12 vjeç, miratimi i parë për fëmijë, raporton BBC-ja.

Vaksina, aktualisht, duhet të jepet në tre doza të veçanta, duke përdorur një aplikues pa gjilpërë, në vend të një shiringe të zakonshme. Firma ka njoftuar se së shpejti shpreson që të fillojë testimet te fëmijët më të vegjël, mbi 2 vjeç. Këshilltarët shkencorë të qeverisë, sipas BBC-së, kanë thënë se vaksinimi për fëmijët e moshës 12 deri në 17 vjeçe me gjendje të rëndë shëndetësore mund të fillojë në tetor, por shtrirja më e gjerë do të bëhet vetëm pasi programi i të rriturve në Indi të përfundojë, proces ky që aktualisht planifikohet që të arrihet në fund të vitit.

Përktheu: Liridona Bytyçi