Lifestyle

Konsumimi i vitaminës C dhe D gjatë Covid-19

Për trajtimin e mirëfilltë të COVID-19 rëndësi të veçantë ka edhe përdorimi i vitaminave, të cilat ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar në këtë mënyrë duke parandaluar gripin dhe virusin. Vitamina C dhe D janë dy ndër vitaminat që shkencërisht janë vërtetuar se luftojnë infeksionet respiratore të traktit të sipërm. Një gjë të tillë e pohon edhe pulmologu i Klinikës së Pulmologjisë në QKUK, Besim Morina.

Pacientët e prekur me COVID-19, sipas tij, në momentin që kanë shkuar në këtë klinikë për mjekim, veçse kanë qenë të pajisur me vitamina.

Shumica e vitaminave, sipas tij, janë vitamina përfitimet e të cilave janë parë në mënyrë të përgjithshme.

Ndërkohë, dietologia Vala Pupovci ka treguar për rëndësinë e disa vitaminave që luajnë rol në trajtimin e sëmundjeve virale.

Në vend të marrjes së këtyre vitaminave në formë të suplementeve ajo rekomandon që të konsumohen ushqimet që janë të pasura me këto vitamina.

Pulmologu Morina rekomandon që të mos të ketë përdorim të tepruar të vitaminave.

Vitamina D, sipas Pupovcit, ka efekt mbrojtës në trajtimin e COVID-19. Përveç këtyre dy vitaminave ajo përmend edhe rëndësinë e përdorimit të vitaminës B.

Përveç përdorimit të vitaminave gjatë kësaj kohe rekomandohet konsumimi i lartë i ujit në mënyrë që trupi të jetë i hidratuar.