Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Xhamia historike në Dakotën e Veriut

Foto: Universiteti i Maryt

Besimtarët myslimanë filluan të vendoseshin në Amerikë në vitet 1600 duke lënë gjurmët e tyre në historinë amerikane. Madje në disa shtete amerikane, ku jetojnë pak myslimanë, ka arritje historike të pranisë së tyre.

Të ardhurit e parë myslimanë në Ross të Dakotës së Veriut, ndërtuan një xhami në vitet 1920, duke u bërë një nga xhamitë e para në Shtetet e Bashkuara.

Në qytetin e largët Ross të Dakotës së Veriut gjenden shumë varre që mbartin emra myslimanë dhe jo-myslimanë. Richard Omar është pasardhës i themeluesve të xhamisë.

“Siç shihet, im atë u lind në vitin 1889 dhe emri i tij Albert ka qenë Abdullah. Shumë nga të ardhurit i ndryshuan emrat”, thotë ai, raporton Zëri i Amerikës.

Richard Omar, elektricist në pension i cili nuk është mysliman, viziton shpesh varret e prindërve të tij myslimanë. Ai gjithashtu dëshiron të ndihmojë në ruajtjen e një kapitulli të rëndësishëm të historisë myslimane në Shtetet e Bashkuara.

Edhe Xhamia historike në Selanik hap dyert për besimtarët myslimanë për herë të parë në 100 vjet Botë Xhamia historike në Selanik hap dyert për besimtarët myslimanë për herë të parë në 100 vjet

Xhamia, e cila qëndron e vetme në ato fusha, u themelua në vitin 1928, një nga më të parat në Amerikë. Brenda strukturës së vogël gjendet një qilim lutjesh dhe foto të atyre që ndihmuan në krijimin e xhamisë.

“Nuk ka mbetur askush me të cilin mund të flasësh”, thotë Omar.

Shumica e banorëve myslimanë u shpërngulën drejt qyteteve të mëdha. Disa ndryshuan emrat e madje edhe besimin. Diane Siebel është punonjëse e administratës së qytetit Ross.

“Historia tregon që njerëzit erdhën këtu për të filluar një jetë të re”, thotë ajo.

Siebel thotë se popullsia u zvogëlua me rënien e industrisë bujqësore dhe naftës. Ndërsa kujtesa e xhamisë ka rezistuar, ajo thotë se atje nuk kanë mbetur myslimanë.

“Loznim atje gjatë gjithë kohës deri sa arriti në një pikë drejt shkatërrimit dhe ishte e rrezikshme”, tregon ajo.

Xhamia u rrëzua në vitet 1970, por u rindërtua në vitin 2004, me shpresën për të mbajtur gjallë historinë e saj. Një vit më parë, varrezat pranë xhamisë u shtuan në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike, simbol i historisë fetare në Shtetet e Bashkuara, duke u kthyer në destinacion për vizitorët. Mohiuddin Sharrif është një prej vizitorëve.

“Ky është një vend ku feja Islame u vendos në Amerikë dhe u ndërtua xhamia e parë”, thotë ai.

Edhe Kolumne Katër mësime nga Abu Dhabi

Për jo-myslimanët si Richard Omar, kjo xhami dhe varrezat janë pjesë e historisë së familjes së tij në Amerikë.

“Nuk duam që njerëzit të harrojnë”, thotë ai.