Në një cep të shkretë të bregut verilindor të Katarit në mesin e dunave të rërës së shkretëtirës djerrë, shtrihet Al Jassasiya, zona e artit shkëmbor më e rëndësishmja e vendit.
Aty njerëzit shekuj më parë përdorën disa lloj gurësh gëlqerorë mbi të cilën gdhendën simbole dhe objekte që vëzhgonin në mjedisin e tyre.
Në total, arkeologët kanë gjetur 900 gdhendje në shkëmbinj në Al Jassasiya. Ato janë kryesisht shenja kupash enigmatike të renditura në modele të ndryshme, por edhe paraqitje tërheqëse të anijeve me vela, midis simboleve dhe shenjave të tjera, shkroi CNN.
Kreu i gërmimeve, Ferhan Sakal, ka thënë se megjithëse gdhendjet në shkëmbinj janë të zakonshme, disa prej atyre në Al Jassasiya janë unike dhe nuk mund të gjenden diku tjetër.
“Këto gdhendje përfaqësojnë shkallë të lartë kreativiteti dhe aftësi vëzhguese të artistit që i bëri ato”, ka thënë ai.
Në mesin e figurave të dokumentuara, mbi 1/3 janë në formën e kupave në madhësi dhe forma të ndryshme.
Shenja më e famshme përfshin dy rreshta paralelë me shtatë gropa, që disa besojnë se ishin përdorur për një lojë të famshme në antikitet. Disa të tjerë thonë se gropat janë shumë të vogla për teorinë e lojës dhe disa të tjerë sugjerojnë se ato janë përdorur për parashikim ose si sisteme për ta llogaritur kohën.
Megjithatë nuk është dhënë një teori e saktë se çfarë mund të kenë përfaqësuar këto gropa të çuditshme.