Kuriozitet

Rrëfim nga Bondsteeli: Raporti i veçantë i ushtarit me qenin

Ddunn, një pastor holandez i specializuar për detektim të eksplozivit, u lind në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku u rrit dhe u mësua për të shërbyer e mbrojtur. Ddunn dhe mbajtësi i tij, ushtari amerikan, Richard D’ornellas, punojnë bashkë në kampion Bondsteel për të ofruar siguri në Kosovë.

D’ornella dhe Ddunn punojnë bashkë qe nëntë muaj. Në atë kohë, jeta ndryshoi tërësisht për Ddunnin, shkruan uebfaqja që shërben për informata nga ushtria amerikane (dvidshub). Është hera e dytë që Ddunn 6-vjeçar po qëndron në kampin në Kosovë. Sikur herën e shkuar, edhe tash ka për detyrë të gjejë eksplozivë të mundshëm në veturat te porta. Por diçka dallon nga hera e shkuar.

“Ddunn ishte tjetër qen herën e fundit kur ishte në Kosovë”, ka thënë D’ornellas. “Ai nuk ishte aq miqësor me njerëzit, shumë agresiv. Këtë herë, njerëzit (rojat) e kujtojnë dhe më kanë lavdëruar që e kam bërë më të mirë”.

Me mbajtësin e tij të fundit, dashuria s’ishte fokusi i ushtrimeve. Ushtrimet nuk kishin funksionuar për të dhe e kanë frikësuar dhe e kanë bërë më të egër. Sipas “Whole Dog Journal”, “mjeti kryesor për trajnerët është ndëshkimi pozitiv, e ndjekur nga një përkëdhelje, ose lavdërim verbal për të vazhduar entuziazmin e qenit për procesin e trajnimit”. Megjithatë, për disa qen kjo nuk funksionon.

“E kam takuar Ddunnin kur ishte në një tjetër ambient. Nuk po përkëdhelej. S’po përdorej. Ishte shumë agresiv. Askush s’donte të hynte në shtëpizën e tij”, ka thënë D’ornellas. Pasi dëgjoi për sfidat me Ddunnin, D’ornellas u nis drejt shtëpizës së qenit. Me të arritur në ambientin e tij, mori porosinë se “mund ta marrësh këtë qen, nëse të lë të hysh në shtëpizë”. “E hapa shtëpizën e tij dhe mi shfaqi dhëmbët. Dhe u ula aty e prita deri sa u ndal. Kjo i mori disa orë kohë. Isha gjithë ditën për të thjesht që të ishte normal. A u kapëm keq disa herë? Po. Ama ia vlejti tërësisht dhe tani është qeni më i mirë që kam pasur”, ka thënë ai.

Kur D’ornellas iu bashkua ushtrisë amerikane më 2016, pati disa opsione për punë. Pasi mendoi, ai zgjodhi rolin e mbajtësit të qenit ushtarak sepse kjo nënkuptonte punë me qentë dhe t’u jepte dashuri e kujdes.

“Ajo që më pëlqen më së shumti për këtë punë është padyshim lidhja me qenin. Jam njeri që i do qentë dhe i kupton, sidomos në rastin e tij, kur s’ka pasur kujdestar të mirë”, ka thënë D’ornellas.

Ddunn tani po ndihet më i sigurt në raport me mbajtësin e tij. E ka përsosur rolin në vënien re të eksplozivëve. Kur janë ditët e pushimit, të dy janë vazhdimisht bashkë në ushtrime. Ushtrimet shërbejnë për ta forcuar në punën e tij.

Për 7 vjet në ushtri, D’ornellas ka punuar me katër qen.

Në mes të sigurisë për jetët e ushtarëve përreth tij, Ddunn ka krijuar lidhje të veçantë me D’ornellasin që do të zgjasë përtej kampit në Kosovë.