Në 260 milionë vjetët e fundit, dinozaurët u shfaqën dhe më pas u zhdukën. Pangea u nda në kontinentet dhe ishujt që ne shohim sot dhe njerëzit e ndryshuan me shpejtësi e në mënyrë të pakthyeshme botën në të cilën jetojmë.
Por, përmes gjithë kësaj, duket se është Toka ajo po e ruan ritmin e kohës. Një studim i ri i ngjarjeve të lashta gjeologjike sugjeron që planeti ynë ka një “rrahje zemre” të ngadaltë e të qëndrueshme të aktivitetit gjeologjik çdo 27 milionë vjet apo më shumë.
Ky impuls i ngjarjeve gjeologjike të grumbulluara – përfshirë aktivitetet vullkanike, shfarosjet masive, riorganizimet e pllakave tektonike dhe ngritjen e nivelit të deteve – është tepër i ngadaltë, një cikël 27.5-milionëvjeçar i baticave dhe rrjedhave katastrofike.
Por, për fatin tonë të mirë, ekipi hulumtues vëren se jemi edhe 20 milionë vjet para “të rrahurës tjetër të zemrës së Tokës”. “Shumë gjeologë besojnë se ngjarjet gjeologjike janë të rastësishme. Por, studimi ynë ofron prova statistikore mbi një cikël të përbashkët, duke sugjeruar se këto ngjarje gjeologjike janë të ndërlidhura dhe jo të rastësishme”, thotë Michael Rampino, gjeolog i Universitetit të Nju Jorkut dhe autori kryesor i studimit.
Ekipi zhvilloi një analizë të re mbi epokat e 89 ngjarjeve gjeologjike të kuptuara mirë nga 260 milionë vjetët e kaluar. “Këto ngjarje përfshijnë kohë të shfarosjeve detare dhe jodetare, ngjarje të mëdha ooksike-anoksike, shpërthime vullkanike, luhatje të nivelit të detit dhe riorganizim të pllakave tektonike”, shkruan ekipi në studimin e tij.
“Rezultatet tona sugjerojnë se ngjarjet gjeologjike globale janë përgjithësisht të ndërlidhura dhe duket se ato ndodhin me impulse sipas një cikli bazë 27.5-milionëvjetësh. Gjeologët kanë shqyrtuar prej kohësh ekzistencën e një cikli të mundshëm të ngjarjeve gjeologjike”.
Në vitet 1920-1930, shkencëtarët e kohës sugjeruan se të dhënat gjeologjike kishin një cikël 30-milionvjeçar, ndërsa në vitet 1980-1990 studiuesit përdorën mjetet më të fundit të teknologjisë për ta gjetur një cikël me gjatësi 26.2 deri 30.6-milionvjetësh.
Tani kemi zbuluar se kjo kohë është 27.5 milionë. Një studim në fund të vitit të kaluar, nga të njëjtët autorë, sugjeroi që ky cikël 27.5-milionvjeçar është edhe momenti kur ndodh zhdukja masive.
“Ky studim është shumë i mirë, por unë mendoj se një hulumtim më i mirë mbi këtë fenomen ishte ai i vitit 2018 nga Myler dhe Dutkievic”, thotë Alain Colins nga Universiteti i Adelaides në Australi, që nuk ishte i përfshirë në këtë studim.
Studimi i vitit 2018, nga dy studiues të Universitetit të Sidneyt, analizoi ciklin e karbonit dhe tektonikën e pllakave të Tokës, duke arritur në përfundimin se cikli është afro 26 milion vjet. Colins thotë se më studimin e fundit mbi këtë temë, shumë nga ngjarjet gjeologjike që shqyrtoi ekipi janë shkakësore, pra njëra shkakton drejtpërdrejt tjetrën. Kësisoj, disa nga 89 ngjarjet e marra në analizë janë të lidhura mes tyre – për shembull, ngjarja anoksike që shkakton zhdukjen e specieve detare.
“Duke thënë këtë, ky lloj cikli 26-30–milionvjeçar duket se është real edhe për një periudhë më të gjatë kohore. Edhe pse nuk është e qartë se cili është shkaku i tij themelor”, thotë Colins. Kërkime të tjera nga Rampino dhe ekipi i tij sugjerojnë se përplasjet e kometave mund të jenë shkaku kryesor, ndërsa një studiues hapësinor mendon se përgjegjës për këto ndryshime është Planeti X.
Por, nëse Toka ka vërtet një “rrahje zemre” gjeologjike, kjo mund të jetë për shkak të diçkaje që është më pranë Tokës. “Këto impulse ciklike të tektonikës dhe ndryshimit të klimës mund të jenë rezultat i proceseve gjeofizike që lidhen me dinamikën e tektonikës së pllakave dhe mantelit të Tokës, ose mund të alternohen me ciklet astronomike të lidhura me lëvizjet e Tokës në sistemin diellor dhe galaktikën tonë”, shkruan ekipi në studimin e tij.