Një paragllajdist kinez ka mbijetuar pasi u ngrit aksidentalisht në lartësi prej 8,500 metrash mbi qiellin e Kinës veriperëndimore, raportojnë mediat shtetërore, transmeton BBC.
Peng Yujiang, 55 vjeç, ishte duke testuar pajisje të reja në një lartësi prej 3,000 metrash mbi nivelin e detit, mbi malin Qilian, kur një rrymë e rrallë ajri e njohur si “thithje nga reja” (cloud suck) e tërhoqi rreth 5,000 metra më lart, brenda një formacioni resh.
Ngjarja që ndodhi të shtunnën është regjistruar nga kamera e montuar në pajisjen e tij fluturuese dhe pamjet janë bërë virale pasi u publikuan në Douyin – versioni kinez i TikTokut.
Pamjet tregojnë Pengun duke u kapur fort për komandat e paragllajderit, ndërsa fytyra dhe pjesë të trupit të tij janë të mbuluara me kristale akulli.
“Ishte tmerruese... Gjithçka ishte e bardhë. Nuk mund të dalloja asnjë drejtim. Pa busullën, nuk do ta dija fare se kah po shkoja. Mendoja se po fluturoja drejt, por në realitet po rrotullohesha”, ka thënë ai për “China Media Group”.
Peng i shpëtoi për pak vdekjes, pasi në atë lartësi – pak më poshtë se maja e Everestit (8,849 m) – niveli i oksigjenit është shumë i ulët ndërsa temperaturat mund të bien deri në -40°C.
“Doja të zbrisja menjëherë, por thjesht nuk mundesha. Vetëm ngrihesha gjithnjë e më lart, derisa u futa brenda resë”, shtoi ai.
Peng, i cili ka katër vjet e gjysmë që merret me paragllajd, ka thënë se mund të ketë humbur vetëdijen gjatë zbritjes dhe se pjesa më e frikshme ishte përpjekja për të rifituar kontrollin e pajisjes, e cila po rrotullohej në ajër.
Autoritetet kineze po hetojnë incidentin. Peng është pezulluar për gjashtë muaj pasi fluturimi ishte i paautorizuar.
Ai nuk kishte ndërmend të fluturonte atë ditë, por ishte thjesht duke testuar rehatinë dhe përshtatjen e parashutës në tokë. Megjithatë, erërat e forta e ngritën nga toka dhe u intensifikuan derisa hasi rrymën që e çoi drejt reve.
VIDEO: