Kuriozitet

Pandemia mbyll lokalin mbi 1000 vjet të vjetër në Londër

Një lokal në Angli i cili besohet të jetë më i vjetri në këtë vend, po mbyllet për shkak të problemeve financiare, të shkaktuara nga pandemia.

Lokali i quajtur “Ye Olde Fighting Cocks” në veri të Londrës, ka qenë biznes që nga viti 793, sipas faqes së tij zyrtare.

“Tani ky lokal po mbyll dyert pas një periudhe shumë të vështirë”, thuhet në një deklaratë të postuar në faqen e lokalit në Facebook nga pronari Christo Tofalli.

“Së bashku me ekipin tim, kam provuar gjithçka për të mbajtur pub-in. Sidoqoftë, dy vitet e fundit kanë qenë të paprecedentë për industrinë e mikpritjes dhe na kanë mundur të gjithë ne që jemi përpjekur maksimalisht për të siguruar që ky pub me shumë çmime të vazhdojë të tregtojë në të ardhmen”, ka shkruar Tofalli.

Ai ka shtuar se kushtet e operimit ishin shumë të vështira edhe para pandemisë, por që efektet e COVID-19 ishin “shkatërruese” dhe e kanë lënë në vështirësi për t’i përmbushur obligimet financiare.

Industria e pijetoreve në Britani po luftonte edhe para pandemisë, pasi njerëzit braktisën pijen në bare, restorante dhe shtëpitë e tyre.

Midis viteve 2008 dhe 2018, më shumë se 11,000 bare mbyllën dyert e tyre, sipas Zyrës së Mbretërisë së Bashkuar për Statistikat Kombëtare, duke ulur numrin e përgjithshëm me gati një të katërtën.

Struktura kryesore e Ye Olde Fighting Cocks ishte ndërtuar në shekullin 11, dhe fillimisht ishte përdorur si shtëpi pëllumbash.

Pubi mori emrin e tij nga luftimet e gjelit që u mbajtën atje në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të.

Ye Olde Fighting Cocks njihej si pijetorja më e vjetër në Angli nga Guinness World Records, por titulli i rekordit tani është joaktiv, tha një zëdhënëse e Guinness për CNN.

“Ky rekord u vendos në vitin 2000 kur u bë e qartë se nuk ishte e mundur të verifikohej plotësisht”, ka thënë zëdhënësja në një deklaratë.

“Edhe kur publikuam informacione në lidhje me këtë në të kaluarën, kurrë nuk ishim në gjendje të deklaronim përfundimisht se cili ishte lokali më i vjetër në vend, pasi mosha dhe përdorimi historik i ndërtesave në shumë raste është i pasigurt”, ka shtuar ajo.