Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Britania ua ndalon hyrjen nëpër klubet e natës qytetarëve të pavaksinuar

Pas më se një viti e gjysmë me masa të rrepta të izolimit shkaku i pandemisë COVID-19, njerëzit mezi kanë pritur që t’i kthehen pistës së vallëzimit, kur klubet e natës janë rihapur nëpër Angli, muajin e kaluar.

Rihapja e klubeve ishte pjesa e fazës së fundit të lirimit të masave, porse jo plotësisht. Kryeministri Boris Johnson ka vendosur që nisur nga shtatori për dëfrime nëpër këto klube do të jenë të nevojshme pasaportat e vaksinimit.

Ky detyrim tani ka nxitur drojë mes pronarëve të klubeve.

Në klubin “Piano Works”, masat kundër COVID-19 zbatohen sipas udhëzimeve në fuqi. Punonjësit ua kontrollojnë temperaturën klientëve. Porse që nga e hëna, kamerierët janë detyruar që të testohen çdo javë.

Për drejtorin Tristan Muffat, këto masa janë të mjaftueshme dhe se të ashtuquajturat pasaporta të vaksinimit do ta diskriminonin klientelën rinore.

Edhe Masat anti-COVID në Angli mund të përfundojnë këtë muaj Botë Masat anti-COVID në Angli mund të përfundojnë këtë muaj

“Nëse i diskriminojmë kësisoj njerëzit, klientët tanë më të rinj, i bije sikur të themi para turmës ti, ti, ti dhe ti, nuk mund të hyni sepse jeni shumë të rinj për t’u vaksinuar ose nuk keni pasur mundësi. Kjo është kundër etikës sonë si kompani”, ka thënë ai.

Për t’i bërë ballë presionit, klubi ka hapur së fundi një uebfaqe të re, jo vetëm për ta shikuar menynë, por edhe për të bërë porosi dhe për të paguar fatura online.

Kjo në kohën teksa kur përfaqësuesit e industrisë pretendojnë se çdo kufizim i ri do të jetë një barrë e shtuar për ta. Përveç tjerash, pasaportat e vaksinimit do ta bëjnë të detyrueshëm potencialisht punësimin e personelit shtesë.

Michael Kill, shef ekzekutiv i Shoqatës së Industrive dhe Jetës së Natës, ka theksuar se masat si të tilla mund të nxisin rebelim mes të rinjve.

“Nga këndvështrimi ynë, njerëzit duhet ta kenë mundësinë që të zgjedhin. Ka të bëjë me demokracinë. Dhe mënyra se si paraqitet gjithë masa po shihet si përpjekje për t’i detyruar njerëzit. Dhe e dimë mirë se kultura e të rinjve, kur përpiqet të detyrohet, atëherë mëton që të rebelohet. Rebelimi do të përfundojë me boshatisjen e depove dhe pronave në të gjithë vendin, ku do të ndodhin ngjarje të paligjshme. Dhe kjo do të jetë kundërproduktive”, ka thënë ai.

Edhe Anglia heq të gjitha masat ndaj COVID-19 Botë Anglia heq të gjitha masat ndaj COVID-19

Por një nga kërkesat më urgjente të sektorit është që të sqarohen hollësitë rreth masës në mënyrë që të bëhen përgatitjet adekuate për të.

Sipas statistikave zyrtare, më shumë se 75 për qind e popullsisë britanike është plotësisht e vaksinuar kundër COVID-19. Por kjo mesatare ka shpërputhje në aspektin e moshës. Derisa mbi 90 për qind e britanikëve mbi 60-vjeç janë vaksinuar plotësisht, vetëm rreth 60 për qind e njerëzve nën 34 vjet kanë marrë vaksina.