Karakteri legjendar i Harrison Fordit, “Indiana Jones” mund të ketë pasur frikë nga gjarpinjtë, por një zvarranik tani ka marrë emrin e aktorit të famshëm.
Një lloj specie e re e gjarpinjve e gjetur në Peru ka marrë emrin “tachymenoides harrisonfordi” për ta nderuar mbështetjen e aktorit për ambientin.
Emrin e aktorit e kanë marrë edhe një milingonë e një merimangë në të kaluarën.
“Këta shkencëtarë vazhdojnë të emërtojnë specie në bazë të emrit tim, por janë gjithnjë aso që i frikësojnë fëmijët”, ka thënë Ford për “Conservation International”. “Nuk e kuptoj. E kaloj kohën duke qëndisur. U këndoj ninulla bimëve të mia, ashtu që të mos frikësohen natën”.
Për dallim nga roli i tij, Fordi në vazhdimësi ka thënë se i pëlqejnë gjarpinjtë.
Me gjarprin e ri, ai ka thënë se ka një “lidhje të veçantë”.
Zbulimi, si rrjedhojë e bashkëpunimit mes shkencëtarëve nga Peruja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u bë në një nga parqet kombëtare të Perusë.
“Tachymenoides harrisonfordi” është gjarpër i hollë, me gjatësi rreth 40 centimetra kur rritet në maksimum. Nuk është i rrezikshëm për njerëzit.
Shkencëtarët po shpresojnë që zbulimi do të tërheqë vëmendjen ndaj krizës së zhdukjes me të cilën po përballen speciet në mbarë botën.