Kuriozitet

Në Tajlandë, rreth një milion vullnetarë shëndetësorë po shihen si heronj në luftë kundër COVID-19

Gati çdo ditë, 77-vjeçarja Surin Makradee, shkon derë më derë në fshatin e saj në Tajlandë, duke vizituar çdo shtëpi për të kontrolluar temperaturën e njerëzve në një rutinë që përsëritet nëpër komunitete tjera në vend gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Unë njerëzit në fshatin e tim i konsideroj si të familjes. Nëse nuk i edukoj ata, atëherë nuk do të kuptojnë rrezikun e infektimit”, thotë Surin që është nga fshati Saladang në provincën Ang Thong, rreth 90 kilometra në veri të kryeqendrës Bangkok.

Ajo është anëtare e Vullnetarëve Shëndetësor të Fshatit, një rrjet me më tepër se 1 milion punëtorë komuniteti që daton nga koha e Luftës së Ftohët.

Vullnetarët janë përgëzuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke u quajtur si “heronj të palavdëruar” në suksesin e Tajlandës në luftën kundër koronavirusit.

Tajlanda ishte shteti i parë jashtë Kinës që zbuloi një rast me koronavirus, në janar, por ka raportuar vetëm 3000 raste dhe 58 të vdekur që nga atëherë.

“Vullnetarët shëndetësor të fshatarëve në Tajlandë janë heronj të palavdëruar që punojnë për të ndihmuar në parandalim, zbulim apo raportim të COVID-19”, ka thënë Daniel Kertesz, përfaqësues i OBSH-së për Tajlandën.

Pos kontrollit të temperaturës, vullnetarët shëndetësor në vijën e frontit ndihmojnë edhe qeverinë me informata ditore shëndetësore dhe për të monitoruar rritjen e infeksionit.

Surin, që ka qenë vullnetare për 38 vjet dhe bënë xhiron e saj me motoçikletë, ka thënë se ajo është po ashtu përgjegjëse për monitorim të njerëzve që janë kthyer nga provincat tjera dhe duhet të karantinohen për 14 ditë.

“Duhet t’i edukoj ata që janë në karantinë për të ngrënë dhe jetuar ndaras nga anëtarët e tjerë të familjes”, ka thënë ajo.

E krijuar në vitin 1977, Vullnetarët Shëndetësor të Fshatit ishte formuar si pjesë e angazhimit të qeverisë për të ndihmuar komunitetet rurale në kohën kur kryengritjet komuniste po vazhdonin në shumë pjesë të vendit.

Me stërvitje bazike shëndetësore, vullnetarët ndihmojnë për të ofruar kujdes elementar shëndetësor dhe diagnoza fillestare në zona që janë shpesh shumë larg nga një klinik apo spital.

“Ata kanë qenë mundësia që njerëzit e komunitetit të marrin trajtim mjekësor, dhe ishte e rëndësishme duke marrë parasysh resurset e limituara të sistemit tonë shëndetësor”, ka thënë Catichai Muksong, një historian te Universiteti Srinakharinwirot.

Ai ka thënë se vullnetarët kanë ndihmuar të krijojnë një pjesëmarrje më të madhe në sistemin shëndetësor në dekadat vijuese dhe u përgëzuan gjatë epidemive të kaluara si gripit të shpendëve H5N1 në mesin e viteve 2000-ta.

Por, roli i tyre është bërë më pak i njohur në dhjetë vjetët e fundit, së paku deri kur nisi pandemia e koronavirusit.

Një person në karantinë në fshatin e Surinit, Ticomporn Kingpet (60), që së fundi është kthyer në shtëpi nga ishulli Phuket, ka thënë se është i impresionuar me punën e vullnetarëve.

“Janë si grup i milingonave të vogla punëtore që punojnë së bashku. Po i japin këshilla shumë të mira njerëzve”, ka thënë Kingpet.