Në Bashkimin Evropian, mesatarja e jetëgjatësisë arriti në 80.6 vjet më 2022 me 0.5 vjet më shumë nga viti 2021. Gjatë dy dekadave, që nga viti 2002, vlera më e lartë u regjistrua në vitin 2019 kur jetëgjatësia arriti në 81.3 vjet, sipas të dhënave të Eurostat, institucioni i statistikave të BE-së.
Nëse i krahasojmë sipas shteteve, njerëzit më gjatë jetojnë në Lihtenshtajn, pasuar nga Zvicra dhe Spanja.
Sipas rajoneve, jetëgjatësinë më të lartë në lindje e regjistron rajoni spanjoll i Comunidad de Madrid (85.2 vjet), i ndjekur nga Provincia Autonoma di Trento në Itali (84.4 vjet), Ile de France në Francë (84.1 vjet), Stokholmi në Suedi (84.0 vjeç), dhe Comunidad Foral de Navarra në Spanjë (83.9 vjet).
Në Shqipëri, gratë jetojnë më gjatë se burrat 3.5 vjet. Pavarësisht një rënie gjatë fillimit të pandemisë Jetëgjatësia mesatare te burrat arriti në 77.4 vjet, ndërsa te gratë 80.9 vjet. Mesatarisht shqiptarët jetojnë 79.1 vjet, më së gjati në rajon.
Pas Shqipërisë, vjen Kroacia me 77.7 vjet, Serbia 75.2 vjet, Mali i Zi 73.8 vjet dhe më pak nga të gjithë Maqedonia e Veriut me 73.2 vjet. Kosova s’është e përfshirë në këto statistika.