Dhjetë byzylykë ari, 17 kuti purosh, një kuti pudre, një krehër dhe plot 598 monedha ari. Të gjitha janë pjesë e një grumbulli të vlefshëm dhe misterioz të gjetur rastësisht nga dy alpinistë në verilindje të Republikës Çeke.
Alpinistët morën një rrugë më të shkurtër gjatë ecjes në malet Krkonose kur vërejtën një kuti. Pasi e hapën zbuluan gjësendet të cilat i dërguan në një muze.
Se kush mund ta ketë fshehur këtë thesar ende nuk dihet, por një gjë është e sigurt: Grumbulli i sendeve nuk mund të jetë më i vjetër se një shekull, sepse monedhat datojnë nga viti 1921, shkroi CNN.
Vlerësimet mbi gjësendet po vazhdojnë ende, por vlera e monedhave të cilat peshojnë 3.7 kilogramë qëndron rreth 360,000 dollarë, sipas ekspertit të monedhave të muzeut “Eastern Bohemia”, Vojtech Bradle.
Gjetja ka nxitur interesin e banorëve, të cilët sipas kreut të Departamentit Arkeologjik të muzeut, Miroslav Novak, po thërrasin për të ndihmuar në zgjidhjen e misterit të origjinës së monedhave.
Spekulimet e banorëve nxiten nga fakti se çuditërisht nuk ka monedha vendase në grumbullin.
“Gjysma janë me origjinë nga Ballkani dhe gjysma me origjinë franceze”, ka thënë Novak.
Bradle theksoi se grumbulli i monedhave është vërtet i pazakontë.
“Ato duhet të kenë qenë diku në Ballkan pas Luftës së Parë Botërore. Disa prej tyre kanë vulat nga ish-Jugosllavia”, ka thënë ai.
Sapo të përfundojnë analizat materiale të gjësendeve, ato do të ruhen dhe ekspozohen në koleksionin e monedhave në muze.