Nuk ka ndjekur ndonjë kurs rrobaqepësie, por zanatin që e kishte marrë si e vogël nga familjarët tashmë Adifete Shabanit po i kryen punë.
Ajo ligjëron në një shkollë fillore të Ferizajt për gjuhë angleze, por në kohën e lirë atë e gjen duke qepur lodra me grep e me lëmsh leshi.
E nisi krejt rastësisht për t’ia plotësuar dëshirën nipit të saj, i cili kërkonte një lodër me një personazh të preferuar, raporton "SOT" në Kohavision.
E pasi që nuk e gjeti askund në treg një të tillë, nisi vetë t’ia punonte.
Të gjitha po i punon në kushte shtëpie me laramani ngjyrash.
Për ta përfunduar një asaj i duhen tri ditë.
Sipas saj, tashmë ka interesim të madh për këto lodra.
Sqaron se në fillim nuk i punonte për përfitime financiare, por i dhuronte tek fëmijët që i njihte.
Kërkesat për t’i shndërruar personazhet e animuara në lodra tashmë janë bërë të zakonshme për të.
Madje, siç tregon ajo, disa prindër kanë kërkuar që edhe fëmijët e tyre t’i kenë edhe si lodra.
E në kohën e pandemisë, si shumë mësues të tjerë, edhe Adifetja ka mbajtur mësim online nga shtëpia.
Ajo, për ta bërë mësimin në distancë më atraktiv, ka përdorur lodrat që i ka krijuar vetë.