Ishin flokët e errët në pjesën e prapme të kokës, duart dhe mjekra e gruas së moshuar që po vazhdonte vlefshmërinë e kartës së identitetit, ato që i sinjalizuan autoritetet për një krim të dyshuar dhe çuan në arrestimin e një burri 57-vjeçar në Italinë veriore.
Burri, emri i të cilit nuk është bërë i ditur nga autoritetet, është djali i Graziella Dall’Oglio, e cila vdiq në vitin 2022 në moshën 82 vjeç në qytetin Borgo Virgilio, afër qytetit të Mantuas, tha një zëdhënës në rajonin e policisë së Mantuas për CNN të martën.
Policia ka thënë se burri, një ish-infermier që aktualisht është i papunë, nuk e raportoi vdekjen e nënës së tij tek autoritetet.
Kur karta e identitetit të gruas së moshuar skadoi, djali vuri grim, një paruke dhe rrobat e saj, në mënyrë që të pozonte si nëna e tij dhe të vazhdonte vlefshmërinë e kartës së saj - diçka që duhet të bëhet personalisht në Itali.
Megjithatë, agjenti që përpunoi aplikimin dyshoi për një veprim të pandershëm dhe njoftoi autoritetet, të cilat e telefonuan Dall’Oglio për t’u paraqitur në zyrën komunale.
Pamjet e kamerave të sigurisë të parkingut treguan se burri shkoi me veturë në zyrë i veshur si nëna e tij, pavarësisht faktit se ajo nuk kishte patentë shoferi.
Pas këtij veprimi, oficerët shkuan në adresën e shtëpisë së gruas së moshuar dhe gjetën trupin e saj të mumifikuar në dollapin e lavanderisë, të mbështjellë me çanta.
Burri tani akuzohet për fshehjen e një kufome, mashtrim kundër shtetit, imitim të identitetit dhe falsifikim të një dokumenti publik, sipas autoriteteve,
Ai akuzohet për nxjerrjen e lëngjeve nga trupi i nënës së tij me një shiringë për të parandaluar dekompozimin, ndërkohë që është urdhëruar një autopsi për të përcaktuar se si vdiq ajo.
Ai mbetet në një burg lokal ndërsa prokurorët presin rezultatet e autopsisë, tha zëdhënësi i policisë për CNN.
Mashtrimi me pensionet shtetërore është i zakonshëm në Itali, me dhjetëra njerëz të arrestuar çdo vit për imitim të dikujt që ka vdekur për të marrë pensionin, sipas statistikave nga policia italiane e krimit financiar, e njohur si Guardia di Finanza.
Meqenëse regjistrat e vdekjeve dhe shërbimet publike të vendit nuk janë gjithmonë në sinkron, mund të duhen vite për të raportuar vdekjet, që do të thotë se çekët e pensioneve vazhdojnë të dërgohen derisa dikush të njoftojë zyrën lokale të pensioneve nga e cila ato dërgohen.