Pasioni i Shqipërisë, Ilir Metës, me sa duket, është aventura e ngjitjes sa me lart në male. Një sport i vështirë që kërkon forcë, stërvitje, këmbëngulje, por edhe rrezik brenda, theksojnë mediat e Shqipërisë, që transmetuan njoftimin.
Presidenti Meta pasi ka arritur në majën më të lartë, por edhe më të vështirë e të rrezikshme të Alpeve, ka falënderuar në veçanti liderin e grupit, që nuk ka munguar ta quajë dhe komandant legjendar, Fatos Katallozi, që është dhe president i “Outdoor Kosovo” dhe një nder alpinistët më të njohur të Ballkanit.
“Ju përshëndes nga E Bukura e Qiellit nga Maja e Jezercës 2696 m mbi nivelin e detit. Pas një ngjitje malore prej 17 km nga lugina e Valbonës arritëm te kryemaja e Alpeve tona, maja e Jezercës atje ku ke çdo majë në pëllëmbë të dorës e sidomos 3 luginat me përrallore të Valbonës, Gucisë e Thethit. Nuk ka regjisor, kameraman e fotograf që mund ta pasqyrojë të plotë e reale këtë mrekulli. Sepse maja e Jezercës është E Bukura e Qiellit!“,- shkruan presidenti Meta në Facebook.
Ilir Meta nuk ndalon. Pothuaj gjithë gushtin vrapoi nëpër alpet e Veriut të Shqipërisë, me pas në Plavë-Guci (Mal të Zi) dhe ndaloi në bjeshkët e Kosovës. Pak ditë me parë nga maja e malit të shenjtë të Tomorrit nisi foto.
Sot presidenti ka postuar një video nga maja e malit të Jezercës, 2696 metra mbi nivelin e detit dhe ku shkruan “Mirëmëngjes nga shkëmbi i Dardanit pranë kryemajës së Jezercës!”
E gjitha kjo shëtitje verore, natyrisht, ka një promovim për turizmin e mrekullueshëm shqiptar. Nuk besoj se është thjesht kënaqësi private e presidentit, por në thelb reklamim i natyrës sonë të bukur.