Një hotel i ri në Indonezi po përpiqet të marrë titullin e të qenit hoteli “më i ngushtë në botë”. Por krijuesi i tij ka thënë se projekti s’ka të bëjë vetëm me arritjen e një rekordi botëror – por edhe për të marrë vëmendjen botërore për qytezën.
Ary Indra u rrit në Salatiga. Pasi u bë arkitekt dhe zhvilloi karrierë në Jakarta dhe Singapor, u ndie se duhet t’i kthehet Salatigas për të shërbyer me aftësitë e tij.
Gjeti një copë tokë të padëshiruar, e të cilën askush s’donte ta shfrytëzonte për shkak të madhësisë së pazakontë. Tani kjo tokë është vendi i hotelit “PituRooms”. “Pitu” në shqip do të thotë shtatë. E hoteli i ka shtatë dhoma. “Pitu Rooms” është vetëm 2.8 metra i gjerë.
Ndërtesa është pesëkatëshe. Secila prej shtatë dhomave ka mjaftueshëm hapësirë për një shtrat çift dhe një banjë të vogël me dush. Secila dhomë ka interier të ndryshëm.
“Dua që njerëzit ta përjetojnë Salatingan në një mënyrë tjetër”, ka thënë Indra për CNN-in. “I kam rregulluar dhe dizajnuar dhomat bashkë me ekipin tim. Është bërë platforma ime për të gjeneruar një lloj turizmi të ri, që përfshin komunitetet lokale”.

Salatiga është gati 500 kilometra larg Jakartës dhe nuk njihet për turizëm. Brenda Indonezisë, Salatiga njihet si qytetet me ushqim të mirë, infrastrukturë dhe kualitet të mirë jetese.
Indra ka thënë se indonezianët e mendojnë Salatigan si vend të mirë për të pushuar pas pensionimit. Ai shpreson që “PituRooms” të jetë projekti i parë që të bindë të tjerët se Salatiga është më shumë se vetëm një jetesë e ngadalshme.
“Larg telasheve të përditshme, sfida më e madhe është mendësia tipike që të rrethohemi nga ndërtesa të mëdha, të gjata e superluksoze. Ja ku është më e ngushta”, ka thënë Indra për “Dezeen”, një blog arkitektësh.
Pos dhomave, hoteli ka një minirestorant në kulm.
