Kuriozitet

Gjykata në Malajzi dënon me pesë muaj burgim shtetasin e Indisë të akuzuar për përhapjen e koronavirusit

Një gjykatë në Malajzi ka dënuar të enjten me pesë muaj burgim një shtetas të Indisë, pasi ai ka thyer rregullin e karantinimit në shtëpi, duke shkaktuar disa raste të reja të infektimit, shkruan agjencia shtetërore Bernama.

57-vjeçari, që banon në Malajzi dhe ka një restorant në shtetin verior të Kedahut, është deklaruar fajtor në katër akuzat për shkeljen e urdhrit të vetizolimit në shtëpi prej 14 ditëve. Ai ishte urdhëruar të vetizolohej për dy javë pas kthimit nga India në korrik, shkruan agjencia Reuters.

Po ashtu ai është gjobitur me rreth 3000 dollarë. Gjykata ka mbajtur seancë të veçantë dëgjimore në spitalin në Kedah, ku i akuzuari po trajtohet.

Autoritetet më herët kishin treguar se Nezar Mohamed Sabur Batcha, që kishte testuar negativ për koronavirus fillimisht, kishte dal nga shtëpia dhe kishte vizituar restorantin e tij.

Pasi testi i dytë i doli pozitiv, dhjetëra persona, përfshirë edhe familjarë, punëtorë të restorantit e konsumatorë, u zbuluan se janë infektuar.

Në total 45 raste pozitive janë të lidhura me shtetasin e Indisë, në së paku tri shtete në Malajzi.

Malajzia gradualisht ka hequr kufizimet në maj, por ka filluar rritja e numrit të rasteve në javët e fundit. Në Malajzi janë raportuar 9129 raste me koronavirus, ndërsa 125 kanë përfunduar me fatalitet.