Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Dyndje turistësh në Korçë, sot Festa e Birrës

Korça mirëpret sot Festën e Birrës, eventi më i madh festiv veror. Stafi organizativ në bashkinë e Korçës, i kryesuar nga Kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, po vijon punën për organizimin e kësaj Feste, ndërsa policia ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e saj.

Nëse ende nuk e keni vendosur se ku duhet të jeni këto ditë, mos u mendoni gjatë. Nga data 8-12 gusht do të jenë 5 netë befasuese, 2 skena, emrat më në zë të muzikës dhe shumë surpriza.

Gjatë ditës mund të vizitosh atraksionet e qytetit ndërsa në mbrëmje mund të shijosh festën te Pazari i Vjetër dhe sheshi para stadiumit “Skënderbeu”, raporton ATSH.

Festa e Birrës, e kthyer tashmë në traditë, është një ngjarje mjaft e rëndësishme përsa i përket tërheqjes së vizitorëve, ndërsa nga viti në vit ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit.

Mbi 100 000 persona pritet të vizitojnë Festën e Birrës në 5 netët e organizimit të saj (8-12 gusht).

Kryesisht numri i madh i vizitorëve në festë i atribuohet mënyrës së organizimit të saj me një program muzikor të shkëlqyer me emrat më të njohura të muzikës shqiptare dhe jo vetëm. Po ashtu gjatë 5 netëve të organizimit të Festës së Birrës promovohet një gamë e gjerë birrash vendase dhe të huaja.

Edhe Masa të rrepta sigurie sonte në Korçë për shkak të performancës së Goran Bregoviqit Arbëri Masa të rrepta sigurie sonte në Korçë për shkak të performancës së Goran Bregoviqit

Festa e Birrës nuk është thjesht një festë, por konsiderohet si eventi më i madh veror në Shqipëri.

Përgjatë 5 ditëve i gjithë qyteti i Korçës do të jetë në festë. Superkoncerte, birrë, gatime tradicionale, pranë Stadiumit Skenderbeu dhe festë tek Pazari i Vjetër… Kështu e kanë menduar organizatorët Festën e Birrës 2018.

Festa e Birrës në Korçë u themelua në vitin 2007, si një iniciativë e Bashkisë Korçë. Festivali është nderuar me çmimin e Turizmit nga Ministria e Kulturës në vitin 2010, për shkak të influencës që pati në rritjen e numrit të turistëve në rajon.