Pushuesit në plazhin Costa del Sol në Spanjë tash e tutje do të ndihen më të sigurt.
Kjo ngase për sigurinë e tyre, pos shpëtimtarëve, po përdoret edhe teknologjia.
Falë saj, sa herë që të shfaqet nevoja për ndihmë, bashkë me shpëtimtarët në det do të niset edhe një dron i veçantë.
Ky dron përmban specifika që e ndihmojnë ta gjejë secilin person në rrezik shumë më shpejt. Dhe kur e gjen, i lëshon pajisjet në det për të shpëtuar jetë.
Në bagazhin e këtij droni ndodhen dy jelekë shpëtimi.
Edhe
Spanja përballë një prej zjarreve më vdekjeprurëse
Sistemi elektronik është i vetinflirtuar dhe aktivizohet sapo të jetë në kontakt me ujin.
Falë dronit evitohet mundësia për mbytjen e ndonjë notuesi, ashtu që rojave të shpëtimit u ofrohet kohë shtesë për të vepruar dhe për ta lehtësuar procesin e nxjerrjes së të rrezikuarve nga uji.
Teknologjia unike është dizajnuar nga kompania spanjolle “Aeromedia U.A.V.”, që është themeluar më 2012.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Aquilino Abeal, shpjegon se si funksionon procesi i shpëtimit të jetëve me dron.
“Droni bart dy jelekë shpëtimi që janë të lidhur në të dhe që mund të lëshohen në ujë. I bart gjithashtu në cilindo cep të plazhit edhe defibrilatorët, për të cilët mund të kenë nevojë viktimat apo rojat e shpëtimit. Në të është i vendosur edhe një megafon dhe një kamerë me rezolucion të lartë, që do t’u ndihmojë shërbimeve të shpëtimit që të marrin vendime më të sakta për veprim”, ka thënë ai.
Droni peshon 8 kilogramë dhe mund të udhëtojë 8 kilometra. Ka edhe sensorë për t’i shmangur pengesat. Falë baterive të forta, mund të fluturojë për 45 minuta.
Të këtillë dronë tashmë vëzhgojnë në pesë plazhe të Malagas.
Edhe
Dronët, shqetësim për sigurinë në Kupën e Botës
“Aeromedia” i ka pajisur ato me sisteme altoparlanti për të komunikuar me njerëzit në rrezik.
Krejt kostoja e këtij shërbimi kap vlerën prej rreth 25 mijë eurosh për një sezon veror – që fillon nga mesi i qershorit deri në mes të shtatorit.
Dronët janë në funksion tash e pesë vjet.
Salvador De los Rios, pilot i dronit, ka vënë në pah ndihmesën e madhe që ato e ofrojnë.
“Ne i ndihmojmë rojat e shpëtimit ashtu që arrijmë ta shohim një distancë shumë më të largët brenda pak sekondash, gjë kjo që shpëtimtarët nuk mund ta arrijnë kurrsesi. Për ta e rëndësishme është që njerëzit të jenë brenda pjesës së lejuar për të notuar dhe që të jenë të sigurt”.
Bregdeti spanjoll kap një hapësirë prej rreth 8 mijë kilometrash, rrethuar nga Deti Mesdhe dhe Oqeani Atlantik.
Edhe
“I dëgjoj para se t’i shoh”: Si po përhapin frikë dronët në Kolumbi?
Plazhet spanjolle janë hapur tanimë për sezonin e parë veror qëkur në vend ka filluar vaksinimi kundër COVID-19.
Spanja përbën një prej destinacioneve më të famshme në botë për pushime, ndërsa industria e turizmit është kyç për ekonominë e vendit.