Autoritetet ruse kanë thënë se 7 persona janë vrarë dhe 40 janë plagosur pasi një dron ka goditur një plazh të mbushur me njerëz në jug të Rusisë.
Në pamje të publikuara në rrjetet sociale dhe të verifikuara nga BBC, shihet një dron që fluturon me shpejtësi drejt një shkëmbi përpara se të përplaset dhe të shpërthejë në plazhin poshtë, ndërsa turistët shikojnë nga bregu dhe nga deti.
Guvernatori i rajonit të Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, ka thënë se numri i të plagosurve arriti në 40, ndërsa 17 persona sipas tij janë dërguar në spital për trajtim.
Ai e akuzoi Ukrainën “një sulm të qëllimshëm ndaj civilëve”. Ukraina nuk ka komentuar mbi sulmin, ndërkohë që të dyja palët mohojnë se synojnë qëllimisht civilët.
Nuk është e qartë se cili ishte objektivi i dronit. Disa kanale ukrainase në Telegram kanë pretenduar se droni u rrëzua mbi plazh si pasojë e luftës elektronike, e cila bllokoi sinjalin e tij. Disa dëshmitarë okularë, të cituar nga mediat ruse, thanë se para shpërthimit u dëgjuan të shtëna me armë, gjë që mund të tregojë se mbrojtja ajrore u përpoq ta rrëzonte dronin.
Edhe
Ukraina sulmon Rusinë, të paktën 13 të vdekur e rreth 40 të plagosur
Përplasja ndodhi në një plazh pranë fshatit Arkhipo-Osipovka, në brigjet e Detit të Zi. Me klimën e ngrohtë, plazhet e gjata dhe infrastrukturën e zhvilluar turistike, zona është një destinacion i njohur pushimesh për rusët, veçanërisht pasi sanksionet kanë kufizuar udhëtimet ndërkombëtare për shumë prej tyre.
Turistët dhe banorët e Arkhipo-Osipovkës u thanë mediave lokale se nuk u dëgjuan sirena paralajmëruese përpara sulmit me dron.