Kuriozitet

Astrofizikani shqiptar i tregon efektet e bombës atomike, prej kur lëshohet deri te shkatërrimi

Bomba bërthamore

Foto: Science Photo Library

Pas sulmeve amerikane ndaj centraleve bërthamore në Iran, bota ka nisur diskutim për mundësinë e përdorimit të këtyre armëve shkatërruese në masë. Astrofizikani shqiptar Erald Buneci ka folur për rreziqet e përdorimit të armëve bërthamore, duke treguar hap pas hapi ndikimin e bombës atomike.

Sipas tij, rreziku i parë në momentin e shpërthimit është që nëse shikohet teksa shpërthen, njerëzit do të verbohen.

“Rreziku i parë është në momentin e shpërthimit. Nëse e shohim bombën teksa shpërthen, ne verbohemi në vend sepse rrezatimi është shumë i madh. Kryesisht rrezet ultravjollcë na dëmtojnë retinën (e syrit v.j.) pasi fluksi i energjisë është shumë i madh”, ka treguar ai në një video në Instagram.

Sipas Bunecit, efekti i dytë shkatërrues është zgjerimi masiv i bombës atomike brenda pak momenteve.

Shpejtësia e bombës bën që secili objekt që gjendet përpara të rrafshohet, e ndikimi i shpërthimit prek dhjetëra kilometra.

“Derisa bomba zgjerohet me një forcë e shpejtësia është shumë e madhe, rrafshon gjithçka rrotull dhe bomba formon një vakum nga forca shumë e madhe. Në këtë zonë s’ka ajër dhe është boshllëk dhe ajri në qendër e thith ajrin”, ka thënë ai.

Astrofizikani shqiptar ka treguar se rreziku pasues është nxehtësia.

“Rreziku i tretë është nxehtësia. Kjo bombë kur shpërthen ka temperaturën e qendrës së Diellit. Ka një nxehtësi shumë të madhe dhe ndërkohë kur hapet, përhap edhe rrezatimin e nxehtësisë së saj që djeg gjithçka”, ka thënë ai.

Buneci ka shtuar se rreziku i radhës është nga rrezatimi.

Ai tha se si pasojë e përhapjes së radioaktivitetit, çfarëdo lloj atomi i objekteve apo i qenieve të gjalla shkatërrohet brenda momentit.

“...Si dhe ndërpriten të gjitha fushat elektromagnetike. Çdo lloj pajisje, avioni apo helikopteri apo makine që ecën apo radio...Të gjitha ndërpriten...”

Dëmi pasues dhe më afatgjati është mbetja e rrezatimit.

Sipas astrofizikanit, zonës ku ka ndodhur shpërthimi i bombës atomike i duhen mijëra vjet që “të pastrohet” nga mbetjet e rrezatimit.

“Kjo ndodh për shkak të shpejtësisë së shpërthimit. Në momentin kur ndodh reaksioni zinxhir. Kjo kërkon ndoshta mijëra vjet që lënda të harxhohet, të avullojë që ky gur të avullojë nga rrezatimi”, ka shtuar ai.

Për astrofizikanin Buneci, e vetmja arsye “pozitive” e posedimit të bombës bërthamore është nëse e kanë dy vende armike mes vete.

“E mira e vetme e bombës bërthamore është nëse e kanë dy shtete armike mes vete. Kjo pasi të dyjave iu duhet të mendohen dy herë para se ta nisin këtë luftë mes tyre”, ka thënë ai.