Nga pistat e akullta e deri te ulja e aeroplanit në një pistë shumë të shkurtër dhe të rrezikshme.
Më poshtë “Holidify” tregon listën e aeroporteve që vlerësohen si më të rrezikshmet në botë.
Aeroporti Lukla, Nepal
Me lokacion në Khumbu, në qarkun Solukhumbu, Aeroporti Lukla në Nepal u riemërtua “Tenzing-Hillary Airport” në janar të vitit 2008, në nderim të dy personave të partë që pushtuan majën më të lartë në botë Everest.
Njerëzit që e vizitojnë Everestin zakonisht përdorin këtë aeroport në Nepal. Aeroporti është vlerësuar si më i rrezikshmi në botë për mbi 20 vjet tash. Aeroporti gjendet në një lartësi mbidetare 2438 metra. Ulja bëhet në një shteg shumë të shkurtër, dhe aeroporti ka shumë pak elektricitet dhe thuajse është pa pajisje moderne të trafikut ajror. Ulja është e vështirë, pasi piloti duhet të navigojë mes rajoneve malore në kushte të vështira me erëra të forta.
Aeroporti Courchevel, Francë
Aeroporti Courchevel në Francë njihet se ka një prej pistave më të shkurtra në botë, me vetëm 573 metra. Aeroporti është për njerëzit që duan të skijojnë në Alpe, gjendet në mesin e maleve. Pos që duhet të navigojnë nëpër male, pilotët duhet të ulin aeroplanin në një kënd të duhur, në mënyrë që aeroplani të ngadalësojë në kohë, pasi pista është e shkurtër.

Aeroporti Ndërkombëtar Toncontin, Honduras
Aeroporti Ndërkombëtar Toncontin, është 6 kilometra nga qendra e Tegucigalpas në Honduras. Është aeroport civil dhe ushtarak.
Pasi që aeroporti gjendet në një vend malor, piloti duhet të bëjë manovra të caktuara për ta evituar goditjen e ndonjë mali. Po ashtu edhe pista është mjaft e shkurtër dhe shkakton vështirësi në ndaljen e aeroplanit.

Aeroporti Ndërkombëtar Barra, Skoci
Aeroporti Ndërkombëtar Barra gjendet në Skoci, në cepin më verior të ishullit Barra. Me një pistë shumë të shkurtër, është një aeroport mjaft i rrezikshëm dhe përdor edhe plazhin si pistë. Është padyshim aeroporti i vetëm në botë që e bën këtë.

Aeroporti Agatti në Lakshadweep të Indisë
Me lokacion në territorin Lakshadweep në Indi, më saktësisht në pjesën jugore të ishullit Agatti. Është aeroporti i vetëm në Lakshadweep që u shërben 36 ishujve turistikë në këtë zonë. Pista gjendet në një shirit të rrethuar nga ujërat e kaltër. Është pak mbi 1200 metra i gjatë. Vlerësohet ndër aeroportët më të rrezikshëm.

Aeroporti Ndërkombëtar “Princess Juliana”, St. Martin
Aeroporti Ndërkombëtar “Princes Juliana” është aeroporti kryesor në ishullin St. Martin në Karaibe.
Është një prej aeroporteve më të ngarkuar. Para se të aterojë, aeroplanët ulen shumë poshtë plazhit dhe disa rrugëve. Një aeropolan normal deri te i madh kërkon minimum një pistë minimum 2400 metra për t’u ulur. Aeroporti “Princess Juliana” ka pistë pak mbi 2100 metra.

Aeroporti Ndërkombëtar Don Mueang në Tajlandë
Aeroporti Ndërkombëtar Don Mueang në Tajlandë është një prej dy aeroporteve ndërkombëtare në Bangkok.
Aeroporti gjendet mes dy shtigjeve të golfit, dhe e bën një prej aeroporteve më të rrezikshme në botë.

Aeroporti Congonhas, Brazil
Duke i shërbyer qytetit të Sao Paulos, aeroporti Congonhas, është aeroporti dytë më i ngarkuar në Brazil. Ajo që e bënte këtë aeroport më të rrezikshëm ishte pista e rrëshqitshme që ka shkaktuar disa aksidente. Mirëpo, janë bërë intervenime kohëve të fundit për t’i evituar këto probleme.

Aeroporti Ndërkombëtar i Wellingtonit, Zelandë e Re
Aeroporti Ndërkombëtar i Wellingtonit në Zelandën e Re, gjendet rreth 5.5 kilometra nga Wellingtoni. Pista e këtij aeroporti është vetëm rreth 1900 metra. Pista duket se fillon e mbaronë në ujë. Piloti duhet të jetë mjaft i saktë kur të ulë aeroplanin e kur ta ngrejë për ta evituar ujin.

Aeroporti Ndërkombëtar Kansai, Japoni
Aeroporti Ndërkombëtar i Kansait në Japoni, është një aeroport i vendosur në një ishull artificial mes Gjirit të Osakës. I projektuar nga arkitekti italian Renzo Piano, aeroporti u ndërtua në ishull artificial pasi toka ishte e pakët dhe tepër e shtrenjtë. U hap në shtator të vitit 1994, ndërsa ky aeroport ishte zgjedhja më e mirë për të evituar mbipopullin e Aeroportit Ndërkombëtar të Osakës. Ishulli artificial Kansai është 4 kilometra i gjatë dhe 2.5 kilometra i gjerë, ndërsa aeroporti është i ekspozuar ndaj shumë rreziqeve, si tërmete e ciklone. Por, nuk është problemi i vetëm. Thuhet se në katër-pesë dekadat e ardhshme niveli i ujit do të ngrihet shkaku i ngrohjes globale, që do ta bënte këtë aeroport të fundosej nën ujë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Gjibraltarit
Aeroporti Ndërkombëtar i Gjibraltarit është aeroporti në territorin britanik të Gjibraltarit. Ajo që e bën këtë aeroport ndër më të rrezikshmit në botë, është se pista kalon nëpërmjet rrugës “Winston Churchill”, një prej rrugëve më të ngarkuara të ishullit. Veturat duhet të ndalen sa herë që një aeroplan niset nga aeroporti. Për këtë, ka edhe barriera dhe sinjale për të kontrolluar trafikun.
