Kuriozitet

“Efekti Netflix”, pse gratë perëndimore po shkojnë në Korenë e Jugut në kërkim të dashurisë

Kishte diçka të çuditshme në lidhje me gratë e reja perëndimore që qëndronin në bujtinat e të rinjve në Seoul, tha studiuesja Min Joo Lee.

Ndryshe nga homologet e tyre aziatike, të cilat ajo i pa të dyndeshin në dyqane gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin e Koresë së Jugut, këto gra - kryesisht në të 20-at - dukeshin të painteresuara për shtigjet e zakonshme turistike.

Në vend të kësaj, për shumicën e ditëve të tyre ata do të qëndronin brenda bujtinës së tyre, duke fjetur ose duke parë shfaqje televizive koreane - duke dalë jashtë vetëm pas errësirës, shkroi të shtunën CNN.

Ato kishin rënë në vëmendjen e Lees, e cila hulumton politikat gjinore dhe racore të Koresë si studente në Universitetin Bloomington, sepse ajo ishte në qytet për të zbuluar se çfarë ndikimi kishte në turizëm profili ndërkombëtar në rritje i kulturës pop-koreane.

Pasi vizitoi tetë bujtina dhe intervistoi 123 gra, kryesisht nga Amerika e Veriut dhe Evropa, Lee arriti në përfundimin se shumë ishin tërhequr nga vendi nga ai që ajo e quan "efekti Netflix".

Shfaqjet e suksesshme televizive koreane si "Crash Landing on You" dhe "Goblin", po shisnin më shumë se burrat me fytyra të bukura dhe trupa të gdhendur si yjet e tyre Hyun Bin dhe Gong Yoo. Ata po ofronin një vështrim në një botë ku burrat ishin romantikë dhe të duruar, një antitezë me atë që gratë perëndimore e shihnin në kulturën e tyre të takimeve të fiksuara pas seksit.

Gratë që Lee intervistoi ishin të magjepsura nga burrat koreanë që portretizoheshin në televizion.

Ato i konsideronin burrat koreanë si të kulturuar dhe romantikë duke arsyetuar se burrat në shtetet e tyre shpesh e neglizhojnë dukjen e tyre.

Grace Thornton nga Mbretëria e Bashkuara udhëtoi për në Seoul më 2021 pasi shikoi dramën koreane “Crash Landing on You” në Netflix. Ajo u habit se si burrat në serial nuk u flisnin grave me tallje apo ngacmim në rrugë, siç ndodhte në vendin e saj.

Në sytë e saj, burrat koreanë janë “zotërinj, të sjellshëm, të lezetshëm, romantik, të respektueshëm”.

“Burrat anglezë në krahasim, janë gjysmë të dehur, me birrë dhe duke mbajtur një peshk të ngordhur”, tha ajo referuar fotografive që sipas saj janë të zakonshme në profilet e britanikëve në aplikacionet e takimeve.

Popullariteti i shfaqjeve televizive koreane në audiencat globale ka çuar në rritje të numrit të turisteve në Korenë e Jugut.

Më 2005, 2.3 milionë gra vizituan shtetin – me 2.9 milionë të tjerë që ishin burra. Më 2019, afër 10 milionë gra vizituan vendin, krahasuar me vetëm 6.7 milionë burra.

Në të njëjtën kohë, ka pasur një eksplodim në rrjetet sociale të përmbajtjeve të përqendruara në çiftet prej burrit korean dhe gruas së huaj.

Fatkeqësisht, disa gra zbulojnë pas arritjes së tyre në Korenë e Jugut se burrat mund të mos jenë aq perfekt sa ata që shfaqen në ekrane.