Botë

“Arratisje nga vetmia” -  dyqanet mikpritëse që ndihmojnë në luftimin e izolimit

vetmia

Në Seul janë hapur “dyqane mikpritëse” për t’i ndihmuar personat që përballen me vetminë, si të rinjtë asocialë apo të moshuarit e braktisur. Këto hapësira ofrojnë ramen falas, shoqëri dhe mbështetje emocionale. Vetmia po kthehet në një krizë sociale në Korenë e Jugut, veçanërisht pas pandemisë. Iniciativa synon të ofrojë ngrohtësi pa paragjykim dhe ta luftojë izolimin shoqëror.

(BBC) - Hee-kyung qesh lehtë ndërsa hyn në “dyqanin mikpritës”- një iniciativë e re në Seul për ata që përballen me vetminë.

Në moshën 29-vjeçare, ajo nuk është ndoshta personi që shumica do të mendonin se do të përfitonte nga përpjekjet më të fundit të kryeqytetit të Koresë së Jugut për ta luftuar ndjenjën e vetmisë.

Por, Hee-kyung e viziton dyqanin çdo ditë për të marrë ramen falas dhe për të kaluar orë të tëra duke biseduar me vizitorë të tjerë dhe punonjës socialë.

“I them vetes: ‘Një ditë tjetër, një arratisje tjetër nga ndjenja e vetmisë’”, thotë Hee-kyung.

E larguar nga shtëpia që në adoleshencë, ajo nuk mban më kontakte me asnjë nga anëtarët e familjes. Miqtë që ka i ka njohur online përmes adhurimit të përbashkët për grupin K-pop SuperJunior, por ata jetojnë larg.

Aktualisht e papunë, ajo nuk ka kolegë me të cilët të bisedojë.

Jeton e vetme dhe e kalon kohën duke parë video me kafshë të lezetshme në telefon ndërsa shtrihet në dysheme.

“Nuk kam asnjë vend tjetër ku mund të shkoj, po të mos ishte ky dyqan”, thotë ajo.

Hee-kyung është një nga 20.000 personat që kanë vizituar katër dyqanet që nga hapja e tyre në mars. Fillimisht qyteti kishte parashikuar vetëm 5.000 vizitorë gjatë vitit të parë.

Ky dyqan në veçanti, që ndodhet në distriktin verilindor të Dongdaemunit në Seul, pret rreth 70 deri në 80 vizitorë çdo ditë.

Shumica janë në të 40-at dhe 50-at, por Hee-kyung nuk është aspak e vetmja e re që përfiton nga shërbimet e dyqanit.

Një studim i vitit 2022 zbuloi se rreth 130.000 të rinj në qytet - të moshës nga 19 deri në 39 vjeç - janë të izoluar nga aspekti shoqëror. Po ashtu, ai studim tregoi se përqindja e familjeve me vetëm një person në kryeqytet kishte arritur pothuajse 40% - një fakt që alarmoi qeverinë, e cila po përpiqet ta ndalojë rënien drastike të lindjeve dhe martesave.

Ditën që BBC-ja vizitoi dyqanin, dhjetëra vizitorë - burra dhe gra, të rinj e të moshuar - ishin ulur në stola ose qëndronin duke parë një film së bashku.
“Organizojmë ditë filmi për të nxitur lidhje të thjeshta mes njerëzve”, pëshpërit Kim Se-heon, drejtor i Divizionit të Masave Kundër Vetmisë në qytet.

Faktorët që çojnë në vetmi

Dyqanet janë menduar të ofrojnë një atmosferë të ngrohtë, si kafene. Në një cep, një grua e moshuar kishte mbyllur sytë ndërsa relaksohej në një karrige automatike masazhi që gumëzhinte lehtë.  Në anën tjetër ndodheshin raftet me ramen.

“Ramen është simbol i ngushëllimit dhe ngrohtësisë në Korenë e Jugut”, shpjegon Kim.
Ndërkohë që presin të gatuhet rameni, vizitorëve u kërkohet të plotësojnë një pyetësor të shkurtër për gjendjen e tyre shpirtërore dhe kushtet e jetesës.

Këta janë vetëm një pjesë e vogël e numrit në rritje të personave të izoluar shoqërisht që qyteti po përpiqet t’i arrijë.

Ndryshimi që ka përjetuar Koreja e Jugut është i jashtëzakonshëm: brenda një brezi ka kaluar nga një shoqëri agrare e rrënuar nga lufta në një ekonomi të zhvilluar.

Pak dekada më parë ishte e zakonshme të shiheshin familje të mëdha me gjashtë deri në tetë fëmijë që jetonin nën të njëjtën çati. Por, vite të tëra migrimi drejt qyteteve kanë tkurrur familjet.

Çmimet e papërballueshme të banesave, kostoja e jetesës dhe orët rraskapitëse të punës kanë bërë që gjithnjë e më shumë të rinj të refuzojnë martesën ose prindërimin -  ose të dyja.

Në anën tjetër ndodhet një popullsi në plakje, që ndihet e braktisur nga fëmijët që përpiqen me çdo kusht të ecin përpara.

“E dini shprehjen se vakti më i pashijshëm është ai që ha vetëm? I pyes të moshuarit që hyjnë nëse po ushqehen mirë. Ata lotojnë vetëm nga ai pyetësor i thjeshtë”, thotë Lee In-sook, këshilltarja e dyqanit.

Pas divorcit dhe largimit të fëmijëve të rritur nga shtëpia, Lee In-sook e kupton shumë mirë se si ndihesh kur je vetëm.

Herën e parë që Hee-kyung - e cila është afërsisht në moshën e vajzës së In-sook – erdhi në dyqan, ajo i ra menjëherë në sy.

Ashtu si shumë vizitorë të tjerë, Hee-kyung ishte e heshtur ditën e parë, pothuajse nuk foli me askënd. Herën e dytë që erdhi, nisi të fliste me In-sook.

Ishte pikërisht rritja e numrit të rasteve të “vdekjeve në vetmi” që shqetësoi aq shumë zyrtarët e Seulit sa i shtyu të ndërmarrin veprime. Të moshuarit po vdisnin vetëm në shtëpitë e tyre dhe trupat e tyre po zbulohen vetëm disa ditë apo javë më vonë.

Misioni më pas u zgjerua në përballjen me vetminë si një fenomen më vete. Por, Seuli nuk ishte i pari që e ndërmori këtë iniciativë.

Në vitin 2018, Mbretëria e Bashkuar emëroi një ministër për Vetminë. Japonia ndoqi shembullin, duke krijuar një agjenci për ta trajtuar problemin i cili, sipas tyre, ishte thelluar gjatë pandemisë së Covid-19.

Fenomeni i tërheqjes së plotë nga shoqëria është aq i përhapur në Japoni saqë ka dhe një emër: hikikomori. Edhe në Korenë e Jugut, gjithnjë e më shumë të rinj po shkëputen vullnetarisht nga një shoqëri tepër konkurruese dhe kërkuese.

“Ndoshta ishte pandemia që e përkeqësoi këtë”, mendon Lee Yu-jeong, e cila drejton një nga programet kundër vetmisë në Seul.

Ajo tregon se si fëmijët e saj rrinë të ngulur në telefonat e tyre edhe kur u vijnë miqtë në shtëpi.

“Njerëzit sot shprehen se është bërë shumë e vështirë të kesh një rreth shoqëror. Vetmia është kthyer në një çështje që duhet trajtuar në nivel shoqëror.”

Hapi i parë ishte hapja e një linje telefonike për këdo që kishte nevojë të fliste me dikë.

Adaptimi me të tjerët

Një sondazh mbarëkombëtar në vitin 2023 tregoi se një e treta e të rriturve koreanë nuk kanë askënd që t’i kërkojnë ndihmë për punët e shtëpisë apo që të flasin kur ndihen të trishtuar.

Këshilltarët ofrojnë biseda telefonike 40-minutëshe për çfarëdo teme. Park Seung-ah është një prej tyre dhe bën deri në tre telefonata në ditë nga kabina e saj.

“Më befasoi fakti që shumë të rinj kishin dëshirë për këto biseda”, thotë ajo.

“Ata duan të ndajnë barrën që mbajnë në shpirt, por shpesh ndihen të kufizuar nga marrëdhëniet me prindërit apo miqtë. Kështu që, na drejtohen neve”.

“Dyqanet mikpritëse” erdhën shpejt pas, si një vend fizik ku të vetmuarit janë të mirëpritur.

Vendndodhja në Dongdaemun u zgjodh për shkak të afërsisë me banesat me të ardhura të ulëta, ku njerëzit jetojnë vetëm në apartamente të vogla dhe të ndara.

Sohn, 68 vjeç, e viziton dyqanin një herë në javë për të parë filma dhe për t’u larguar pak prej shtëpisë së tij të ngushtë.

“Duhej të ishin hapur që para se të lindja unë. Është mirë të kalosh edhe vetëm dy ose tri orë”, thotë ai.

Sohn ka kaluar më shumë se pesë dekada duke u kujdesur për nënën e tij, e cila pësoi një aneurizëm në tru kur ai ishte ende fëmijë.

Për këtë arsye ai nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë.

Kostoja e këtij përkushtimi u bë e dukshme kur ajo vdiq.

Tani, pa para dhe me një bastun pasi ka pësuar edhe vetë një hemorragji në tru disa vjet më parë, ai thotë se nuk ka shumë vende ku mund të shkojë.

“Vendet kushtojnë, të shkosh në kinema kushton”, thotë ai.

Dyqanet janë krijuar enkas për të mirëpritur ata që nuk ndihen të mirëpritur në vende të tjera, shpjegon menaxherja e dyqanit, Lee Bo-hyun.

Ato ofrojnë më shumë sesa një vend për të qëndruar apo parë një film - për shembull, gjatë verës së nxehtë ofrojnë ajër të kondicionuar për ata me të ardhura të ulëta që nuk mund ta përballojnë në shtëpi.

Gjithashtu janë menduar si një hapësirë ku të vetmuarit mund të shmangin ndjesinë e turpit për të kërkuar ndihmë.

Zgjedhja e emrit  “dyqane mikpritëse” - ishte e qëllimshme, për t’i dalluar nga klinikat psikiatrike, gjë shumë e rëndësishme në një vend ku ende ekziston stigma për të kërkuar ndihmë për shëndetin mendor, veçanërisht tek të moshuarit.

Megjithatë, ngurrimi i tyre shihet ende kur hyjnë për herë të parë.

Vizitorët shpesh ndihen në siklet kur duhet të flasin me dikë apo të hanë me të tjerët në fillim, thotë menaxherja Lee.

“Vetmia e zakonshme, nëse përsëritet përditë, muaj, e gjysmë viti, nuk është më vetëm ndjenjë”, shpjegon ajo.

“Këta njerëz fillojnë të shmangin vendet me njerëz. Shumë na pyesin nëse mund ta marrin ramenin me vete, sepse nuk duan të hanë me të tjerët”.

Lee u thotë atyre se nuk kanë pse të flasin. Mund të ulen në të njëjtën tavolinë dhe thjesht të hanë së bashku.

Kanë kaluar muaj qëkur Hee-kyung ishte një nga të ardhurit e heshtur.

Po a ka bërë ndonjë ndryshim? In-sook kujton një bisedë që po bënte me një gazetë lokale. Kur përmendi vajzën e saj, ndjeu një ngërç dhe zëri iu drodh.

“Do të të përqafoj”, tha Hee-kyung.

Ajo u ngrit nga ana tjetër e dhomës dhe e përqafoi In-sook-un.