LAJMET E MBRËMJES

Deklarohet i pafajshëm ish-shefi i AKI-së që akuzohet për dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova

Driton Gashi

Ka nisur rigjykimi ndaj ish-shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, i akuzuar për rastin e njohur si “Gylenistët”. Gashi është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. Në dhjetor të 2025-tës, kur duhej të shpallej aktgjykimi, Themelorja vendosi që të rihapë shqyrtimin gjyqësor

Është deklaruar i pafajshëm ish-shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, në rastin e njohur si “Gylenistët”.

Gashi akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, meqë sipas Prokurorisë Speciale ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova, duke shkelur procedurat ligjore.

Deklarimin rreth fajësisë i akuzuari Gashi e bëri për shkak të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, ku ka nisur gjykimi rishtazi ndaj tij.

“I pafajshëm”, theksoi Gashi.

Vendin e gjyqtarëve Arben Hoti e Ngadhnjim Arrni në trupin gjykues tash e kanë zënë Leon Përlaska dhe Medie Bytyqi.

Paraprakisht, në seancë u lexua aktakuza dhe palët u shprehën se u qëndrojnë fjalëve hyrëse të dhëna në shqyrtimin e mëparshëm.

E mbrojtësi i të akuzuarit Driton Gashi, avokati Driton Musliu propozoi që të ftohet si dëshmitar edhe një herë ish inspektori i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, pasi tha se mbrojtja ka pyetje shtesë.

Propozim tjetër pati prokurorja speciale, Habibe Salihu.

“Propozoj që seanca të mbyllet për publikun për shkak të informative sekrete që ka rasti”, deklaroi Salihu.

Propozimin e saj e aprovoi trupi gjykues.

“Aprovohet propozimi i Prokurorisë për përjashtimin e publikut nga kjo seancë gjyqësore, për shkak të informative secrete që ka rasti”, tha kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani-Hajra.

Në dhjetor të 2025-tës, në ditën kur duhej të shpallej aktgjykimi, Themelorja vendosi të rihapë shqyrtimin gjyqësor meqë konstatoi se duhet të grumbullohen dokumente shtesë për të arritur te një aktgjykim për rastin.

Driton Gashi ishte dënuar më 2023 me katër vjet e tetë muaj burgim, por në fund të vitit 2024, Apeli e ktheu rastin në rigjykim lidhur me pikën 1 të dispozitivit, ndërsa vërtetoi lirimin e dy të akuzuarve të tjerë në këtë rast. 

Bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 24 shkurt 2021, Gashi ka keqpërdorur detyrën zyrtare në mënyrën që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme i ka rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit për Cihan Ozkanin, Yusuf Karabinën, Kahraman Demirezin, Hyseyn Demirin dhe Mustafa Erdenin si dhe për mosdhënien e lejes për Osman Karakaya, me arsyetimin se ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Pasi u dëbuan, 6 shtetasit turq u gjykuan në Turqi, me pretendimin se i përkisnin organizatës së shpallur terroriste nga ky vend, FETO.