Lufta, pandemia dhe rënia e tregjeve kanë dëmtuar pasurinë e shumë prej njerëzve më të pasur në planet më 2022. Revista prestigjioze “Forbes”, e njohur për listën e përvitshme të më të pasurve, ka gjetur sivjet 2668 miliarderë në gjithë botën, pak më poshtë se rekordi i vitit të shkuar prej 2755 miliarderësh. Bashkë, pasuria e tyre është 12.7 trilionë dollarë.
Në përgjithësi, 329 njerëz kanë rënë nga lista e miliarderëve sivjet. Ndërkaq u regjistruan për herë të parë 236 emra.
Asnjë nga të gjithë këta nuk u bë më i pasur se Elon Musk, që i prin listës prestigjioze për herën e parë. Deri më 11 mars, pasuria e tij arriti 219 miliardë dollarë, pasi shtoi plot 69 miliardë dollarë në një vit. Pronari i prodhuesit të veturave “Tesla” tejkaloi Jeff Bezosin, që ra në vend të dytë për herën e parë në katër vjet për shkak të rënies së aksioneve prej 3 për qind në “Amazon”. Pronari i brendeve prestigjioze, Bernard Arnault, shtoi tetë miliardë dollarë për të mbetur i treti në listën e më të pasurve në botë. Top-pesëshen e kanë mbyllur Bill Gates dhe Warren Buffet.
Janë 86 emra më të rinj se 40 vjeç. 12 janë nën 30-vjeç, përfshirë 19-vjeçarin gjerman, Kevin David Lehmann, që është më i riu në listën e miliarderëve. Ai është në krye të zinxhirit më të madh të barnave në Gjermani.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin lidere me 735 shtetas miliarderë. Në vlera treshifrore të miliarderëve janë edhe Kina (607), India (166) e Gjermania (134).
Mukesh Ambani nga India është aziatiku më i pasur në botë. Ai në listën e përgjithshme zë vendin e dhjetë me mbi 90 miliardë dollarë pasuri.
Humbjet më të mëdha u shkaktuan në Rusi e Kinë. Pushtimi i Ukrainës ka bërë që tregjet ruse të bien përtokë, duke rezultuar me 34 miliarderë më pak në listë. 83 miliarderët rusë kanë të mbetur në listë kanë stagnuar apo kanë pasur rënie të pasurisë. Ngjashëm ka pësuar edhe Kina.
Nga lista e më të pasurve, 327 prej tyre janë gra. Më e pasura është Francoise Bettencourt Meyers, që është në krye të gjigantit të kozmetikës “L’Oreal”.
Aktualisht janë 19 herë më shumë miliarderë se që ishin më 1987, kur “Forbesi” nisi matjen. Ata janë 4200 për qind më të pasur.
Në përgjithësi, 1891 miliarderë apo 71 për qind e listës, kanë krijuar vetë pasurinë e tyre.
Top 10-shja e miliarderëve:
- Elon Musk – 219 miliardë dollarë
- Jeff Bezos – 171 miliardë dollarë
- Bernard Arnault – 158 miliardë dollarë
- Bill Gates – 129 miliardë dollarë
- Warren Buffet – 118 miliardë dollarë
- Larry Page – 111 miliardë dollarë
- Sergey Brin – 107 miliardë dollarë
- Larry Ellison – 106 miliardë dollarë
- Steve Balmer – 91.4 miliardë dollarë
- Mukesh Ambani – 90.7 miliardë dollarë
Listën e plotë e gjeni këtu: