Kuriozitet

​Peshkaqenët drejt zhdukjes, thotë studimi i fundit

Sipas një hulumtimi, numri i peshkaqenëve në oqeane ka rënë për 71 për qind gjatë gjysmëshekullit të fundit, kryesisht për shkak të peshkimit të tepërt.

Studiuesit thonë se nevojitet një veprim urgjent për të siguruar një të ardhme më të ndritur për ta.

Ata u bëjnë thirrje qeverive të zbatojnë kufizime në peshkim, të bazuara në shkencë.

Studiuesi Richard Sherley pranë Universitetit të Exeter, thotë se rënia e numrit duket të jetë shkaktuar nga aktivitetet e peshkimit.

"Peshkimi ka sjellë një ulje prej 70 për qind në 50 vjetët e fundit. Për çdo dhjetë peshkaqenë që keni pasur në oqeanin e hapur në vitet 1970, sot keni vetëm tre", tha Sherley për BBC News.

Peshkaqenët kapen për shkak të mishit dhe vajit të mëlçisë.

Nga 31 specie të studiuara, 24 janë të kërcënuar me zhdukje dhe tri specie, përfshirë peshkaqenin e bardhë, tani klasifikohen si të rrezikuara në mënyrë kritike - kategoria më e lartë e rrezikut, sipas Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

Profesori Nicholas Dulvy pranë Universitetit “Simon Fraser” në British Columbia, në Kanada, tha se peshkaqenët janë në rrezik jashtëzakonisht të lartë të zhdukjes, shumë më tepër sesa zogjtë ose gjitarët e ndryshëm.

"Peshkimi kërcënon shëndetin e ekosistemeve të tëra oqeanike, si dhe sigurinë ushqimore për disa nga vendet më të varfra të botës", tha ai.

Peshkaqenët janë në krye të zinxhirit ushqimor dhe janë thelbësorë për shëndetin e oqeanit. Humbja e tyre prek kafshët e tjera detare, si dhe jetën e njerëzve. Studimi u botua në revistën Nature. \ Ksp