Kuriozitet

Ndihma e prindërve, amerikanët krijuan tavolinat mësimore për fëmijët

Kur mësimet në distancë nisën të merrnin hov gjatë izolimit të pandemisë, shumë prindër në Shtetet e Bashkuara e kuptuan se fëmijët nuk kishin tavolina mësimi në shtëpi.

Kështu, prindërit si Mitch Couch i përvjelën mëngët dhe filluan krijimin e tavolinave mësimore, të cilat i dhuruan për fëmijët e lagjes.

“Kam dy fëmijë dhe detyrat i bënin në tavolinën e kuzhinës. Së pari i stisa dy tavolina për fëmijët e mi, por fillova të bëja më shumë për 20 dollarë. Thashë se mund t’u tregoj të tjerëve se si t’i bëjnë këto tavolina dhe postova një video në YouTube”, thotë ai.

Ngjashëm si Couch, Marcus Holley nga Nebraska u angazhua për krijimin e tavolinave mësimore për shtatë fëmijët e vet.

“Po krijoja tavolinat vetëm për fëmijët e mi, por pastaj thashë me vete të shohim se si mund t’i ndihmoj edhe të tjerët”, shprehet Holley.

Në Maryland, Jessica Berrellez e kuptoi se fëmijëve në lagjen e saj, përveç pajisjeve të zakonshme mësimore, u duheshin edhe tavolinat.

“Një nënë e lagjes që kujdeset e vetme për pesë fëmijët e saj po qante teksa më falënderohej sepse më tregoi se fëmijët vendosnin laptopët nëpër krevate për gjashtë orë në ditë”, thotë Berrellez.

Couch, i buzëqeshur, ndihet i lumtur që ka dhuruar tavolinat nëpër lagje.

Shpreson se njerëzit të kthejnë kokën prapa dhe ta kujtojnë kohën e vështirë që përjetuan.

Është mirënjohës për secilin që i ka ndihmuar, me shpresën se do të tejkalohet koha e turbullt e pandemisë.