Kuriozitet

Gjermanët me “Bella Ciao” i japin shpresë Italisë

Në kohën kur Italia po e thellon betejën kundër koronavirusit, gjermanët e izoluar, në pamundësi për të ofruar ndihmë të natyrës tjetër, kanë zgjedhur që përkrahjen ta shprehin me muzikë.

Banorët e një lagjeje të qytetit bavarez Bamberg nxorën instrumentet muzikore nëpër ballkone dhe nisën të këndonin si shenjë solidariteti me Italinë.

Pasi kanë parë videot e italianëve të ngujuar teksa këndonin nga ballkonet e banesave të tyre, një grup gjermanësh vendosi ta këndonte këngën e njohur italiane “Bella Ciao”.

Njëri prej banorëve ka thënë se asnjëherë nuk ka kënduar së bashku me fqinjët e tij dhe se veprimi i tyre ishte krejt spontan, transmeton KOHA.

“Kur pamë italianët duke kënduar për shkak se nuk lejoheshin të dilnin nga shtëpitë, menduam se kjo mund të na ndodhte edhe neve. Kënduam si shenjë solidariteti për botën, në këto kohë të vështira pandemie”.

Italia është tani vendi më i goditur nga pandemia e koronavirusit. Tanimë numri i të vdekurve aty ka tejkaluar edhe shifrën e përgjithshme të viktimave në Kinë, shtet ky i origjinës së koronavirusit. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Itali janë regjistruar 427 vdekje të reja.

Përballë një gjendjeje të rëndë në fqinjësi, solidarizim me italianët kanë demonstruar edhe gjermanët, por edhe këngëtarja Betta nga Spanja.

Ajo për gjysmë ore ka argëtuar një lagje të tërë të Madridit, të vendosur në izolim.

Së bashku me partnerin e saj, Andrea Capalbo, Betta ka thënë se do të mundohet që ta kompensojë mungesën e koncerteve, që janë anuluar tanimë kudo në Spanjë, me minikoncerte nga ballkoni.

Spanja është vendi i dytë më i goditur nga koronavirusi në Evropë, pas Italisë. Numri i të infektuarve në Spanjë ka kaluar shifrën prej 20 mijë personash.