Kërkon të bëjë letërnjoftimin e ri, i thonë që ka vdekur para 8 vjetësh

Kërkon të bëjë letërnjoftimin e ri, i thonë që ka vdekur para 8 vjetësh

20 April 2019 14:52

Selim Hodo, një i moshuar mbi të 80-at nga Orikumi, tregon në “Stop” se shkoi në gjendjen civile për të aplikuar për një letërnjoftim të ri, por në atë moment përballet me njoftimin se ai “kishte vdekur” që në vitin 2011.

Hodo thotë, se rezultoi i vdekur edhe në zyrat e postës e polici.

Selim Hodo: Vajta në gjendjen civile të Orikumit dhe më tha se nuk je i gjallë. Si nuk jam i gjallë? ‘Nuk je i gjallë’. Ika pastaj nga aty, u largova.

Gazetarja: Për çfarë vajte në gjendjen civile?

Selim Hodo: Për të nxjerrë letërnjoftimin. Sepse skadonte.

Gazetarja: Dhe aty more vesh që ishte i vdekur?

Selim Hodo: Po. ‘Je i vdekur’. Ika u largova. Erdha në postë, këtu në Vlorë. Një nga ato gratë aty më thotë sille letërnjoftimin. E futi në kompjuter, më thotë ‘je i vdekur’. I them qysh do bëjmë për këtë punë? ‘Do shkosh në polici’. Shkoj në polici dhe i them kështu është puna. ‘Më sill letërnjoftimin’ më tha ajo, futi numrin dhe më tha ‘je i vdekur’.

Gazetarja: Në çfarë viti ke vdekur ti gjyshi?

Selim Hodo: Në vitin 2011-2012 ka qenë vdekja ime. Unë dua letërnjoftimin, se pa të nuk bëj dot asnjë gjë. Qoftë për vizitë, qoftë për diçka. Pa të unë s’bëj dot asgjë se quhem i vdekur. Po s’pata këtë unë kot.

Gazetarja: Kjo është certifikata e vdekjes, që ti ke vdekur më datën 9 mars 2011. Ti gjallë je?

Selim Hodo: Po gjallë jam. Ja. Unë jam i gjallë. Se çfarë bëhet unë nuk e di. Kam letërnjoftimin dhe librezën e parave që është aty. Jam i gjallë unë.

Gjysh Selimi ka lindur më 15 janar 1937 dhe rezulton të ketë vdekur më 9 Mars 2011. Në fakt jemi në vitin 2019, duket edhe që gjyshi fatmirësisht është gjallë. “Stop” u drejtohet zyrave të gjendjes civile në qytetin e Orikumit për të pyetur se çfarë ka ndodhur realisht.

Dorjana Hibro, punonjëse në gjendjen civile të Orikumit: “Zotëria është paraqitur në zyrën e aplikimit Vlorë, nuk e di a ju ka sqaruar apo jo, për të aplikuar për letërnjoftim të ri dhe nuk del fare si emër në momentin që është i çregjistruar. Në këtë rast ka ndodhur një gabim sepse në të njëjtin vit për bashkëshorten, d.m.th. data e vdekjes që ka zotëria është në fakt data e vdekjes së zonjës dhe është mbajtur gabimisht akti i vdekjes në emër të zotërisë.

Gazetarja: Ideja është e tillë, i gjithë gabimi ka ardhur ndoshta nga një pakujdesi e ish-punonjëses suaj.

Dorjana Hibro: Po, pakujdesi është. Ndodhin gabime të tilla. Këto mund t’i ndodhin kujtdo që është punonjës.

Gazetarja: Gjyshi është 83 vjeç, janë edhe problemet e moshës, do të shkojë të bëjë një kontroll të detajuar jashtë tek djali, ai nuk mund të lëvizë. Ose nesër pasnesër mund të ngrihen këta të institutit dhe të kërkojnë mbrapsht gjithë pensionin. Sepse i bie që vërtetë ta ketë marrë kot, sepse ka vdekur në 2011-ën. Po t’i hysh thellë-thellë, janë një sërë problematikash me të cilat ndeshet gjyshi.

Dorjana Hibro: Unë në fakt i kam hyrë shumë thellë dhe i di problematikat. Unë të gjitha masat e duhura i kam marrë. Të ishe ti në vendin tim punonjëse, unë kam bërë maksimumin, si të isha jo thjeshtë një punonjëse, por si njeriu i gjyshit. Është çështje institucionale që besoj që është çështje ditësh vonesa.

Në gjendjen civile të Vlorës shpjegojnë se të dhënat e Selim Hodos do të çohen në drejtorinë e përgjithshme të gjendjes civile, ku do të përballen me informacionet në sistem e për pak ditë, do të marrë zgjidhje ky problem.

Punonjësja: Problemi është shumë i zgjidhshëm, thjeshtë zotëria, as punonjësja nuk ka dijeni, sepse punonjësja nuk i kontrollon dot të gjitha, në moment, që ka ardhur letërnjoftimi, aty shikohet. Nga momenti, që zotëria ka vajtur, për të paraqitur kërkesën, kjo gjë do zgjidhet.

Gazetarja: Do zgjidhet! Të gjithë thonë do zgjidhet. Çështja është, kur do zgjidhet?

Punonjësja: Problemi është se…, ti nëse nuk do zgjidhet dhe ne do thoshim, se nuk ka zgjidhje, atëherë ka problem. Kjo është e zgjidhshme.

Gazetarja: Është e zgjidhshme, por ka një muaj e gjysmë, më kupton? Se të gjithë të përcjellin me fjalë të mira. Gjyshi ka nevojë, duke qenë se është 83 vjeç, ka nevojë të marrë një kurim jashtë shtetit. Tani automatikisht i duhet mjeti i identifikimit, se nuk e lë njeri të kalojë në kufi. Të gjithë të përcjellin, po…po. Tani a do bëhet? Kur do bëhet?

Punonjësja: Të lutem! Këto janë probleme me siguri shumë të lartë! Janë probleme.., nuk janë probleme të thjeshta, që mund të zgjidhen menjëherë. Janë probleme, që janë komisione me juristë, që shikojnë, sepse që të japësh.., t’i japësh një numër identiteti një personi, duhet të bindesh mirë!./tvklan.al

Komentet

Shto koment

Të ngjashme