LAJMET E MBRËMJES

ZKA-ja çon në Prokurori 69 raste për “mangësi serioze” në menaxhimin e fondeve publike

Pas zbulimit të parregullsive gjatë auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dërguar në Prokurori 69 raste për hetim. Në një konferencë për medie të mërkurën, ZKA-ja ka shpalosur disa nga gjetjet, si rritjen e borxhit publik, keqmenaxhimin në komuna e të tjera

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) i ka adresuar për hetim në Prokurorinë e Shtetit 69 raste të dyshuara për përmbajtje të elementeve të veprave penale e të cilat janë evidentuar në 103 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë.

Bezad Halilaj, zëvendësauditor i përgjithshëm, ka thënë gjatë një konference për media të mërkurën se rastet që ZKA-ja i ka referuar në Prokurori lidhen me dyshime për shkelje dhe parregullsi në prokurimin publik, në subvencione dhe transfere, në investime kapitale, si dhe në paga dhe mëditje.

“Konkretisht, shpërndarja e rasteve sipas fushave është: 37 raste në prokurimin publik, 19 raste në subvencione dhe transfere, 8 raste në investime kapitale, 4 raste në paga dhe mëditje dhe 1 rast në të hyrat. Sipas llojit të institucioneve, 47 raste vijnë nga komunat, 12 raste nga ministritë, 7 raste nga ndërmarrjet publike dhe 3 raste nga institucione të tjera”, ka thënë Halilaj.

Ai e ka vënë theksin edhe te problemet në menaxhimin e hapësirave pyjore.

“ZKA ka vërejtur menaxhim joefektiv të parqeve kombëtare për kohë të gjatë. Në parqet ‘Bjeshkët e Nemuna’ dhe ‘Sharri’ janë regjistruar prerje të shumta ilegale dhe ndërtime pa leje. Mungesa e rojeve pyjore ka bërë që deri në 70% e territorit të mbetet pa mbrojtje. Në territorin e Parkut Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’ ndër problemet më të mëdha pas prerjeve ilegale janë po ashtu ndërtimet ilegale që paraqiten vazhdimisht që nga viti 2000”, ka thënë Halilaj.

E auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka prezantuar disa nga gjetjet e raporteve të auditimit të pajtueshmërisë, me fokus në dobësitë në menaxhimin e pasurisë publike nga Komuna e Prishtinës. Ajo ka theksuar se janë identifikuar raste kur prona janë dhënë në shfrytëzim, pa i respektuar procedurat ligjore dhe pa miratimin e Kuvendit Komunal, e edhe ndryshimi i qëllimit të shfrytëzimit të pronës komunale pa miratim nga Kuvendi Komunal.

“Komuna e Prishtinës kishte dhënë tokë në shfrytëzim për ndërtimin me koncesion të garazheve publike pranë QKUK-së. Kontrata ishte nënshkruar më datën 07.11.2005, pas vendimit të Kuvendit Komunal për caktimin e lokacionit. Megjithatë, gjatë auditimit kemi identifikuar se më 21.03.2024, Drejtoria e Urbanizmit kishte marrë vendim për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të dokumentacionit ndërtimor, përkatësisht ndryshimin e destinimit të dy niveleve të ndërtesës B të objektit “Auto Parku”, nga hapësirë për parkim në hapësirë afariste. Ky ndryshim ishte bërë me kërkesë të koncesionarit, por pa u pajisur më parë me vendim apo miratim nga Kuvendi Komunal, siç kërkohet me ligj”, ka thënë Spanca.

Ajo e ka përmendur edhe një rast të mosrespektimit të dispozitave ligjore në vazhdimin e dhënies në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale.

“Në vitin 2024, Komuna kishte lidhur kontratë me Qendrën “Don Bosko”, periudhë prej 50 vjetësh pa kompensim, bazuar në vendimin paraprak të Kuvendit Komunal. Afati i kontratës bie ndesh me legjislacionin në fuqi sepse shfrytëzuesi funksionon si OJQ. Kjo është në kundërshtim me nenin 16 të Rregullores (QRK) Nr. 09/2020, e cila përcakton se për organizatat e shoqërisë civile, komunat mund të japin pronë në shfrytëzim vetëm për një periudhë nga një (1) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite, dhe vetëm kur qëllimi është përmbushja e interesit të përgjithshëm”, ka theksuar ajo.

Një varg mangësish janë përmendur edhe për në Komunën e Gjilanit dhe atë të Prizrenit.

“Bazuar në gjetjet e auditimit, mund të konkludojmë se Komunat e audituara nuk kanë vepruar në përputhje me kornizën ligjore në fuqi për dhënien në shfrytëzim të pronës se paluajtshme dhe menaxhimin e kontratave për qiradhënie. Dobësitë në proceset e qiradhënies, mungesa e kontrolleve të brendshme efektive dhe mos mbajtja e regjistrave të sakta kanë ndikuar në zvogëlim të të hyrave komunale, rrezikim të integritetit të pronës publike dhe shkelje të dispozitave ligjore”, ka thënë Spanca.

Gjatë muajit gusht, ZKA-ja ka publikuar 9 raporte të auditimit të performancës dhe 12 raporte të auditimit të pajtueshmërisë. 

Në sezonin e fundit të auditimit janë dhënë gjithsej 945 rekomandime.