Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të përgatitet nga anëtarët që e hartuan draftstatutin e këtij mekanizmi. Ata janë shkarkuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, një ditë pasi draftin e prezantuan në Bruksel. Në Beograd thanë se kjo vendimmarrje e rrënon dialogun Kosovë-Serbi, ndërkaq në Prishtinë theksuan se statuti i Asociacionit do të jetë konform Kushtetutës së Republikës. Megjithëkëtë, institucionet në Kosovë nuk kanë treguar se cila do të jetë rruga që do të ndiqet për formimin e Asociacionit
Janë shkarkuar anëtarët e Ekipit menaxhues për përgatitjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pak orë pasi në Bruksel kanë prezantuar draftstatutin e këtij mekanizmi, kundër përmbajtjes së të cilit janë pozicionuar autoritetet e Kosovës.
Vendimi është marrë të mërkurën nga ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ai ka arsyetuar këtë vendimmarrje.
“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të viteve 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vetë është pa status. Andaj, sot më datë 3 maj 2023, kam marrë vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujiçiq, Jelena Boloviq, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq”, ka deklaruar Krasniqi.
Një ditë më parë edhe kryeministri Albin Kurti e paralajmëroi këtë, duke thënë se pas prezantimit të draftstatutit është “dekomisionuar” Ekipi menaxhues.
Edhe
Lirohet nga detyra Ekipi Menaxhues për hartimin e draftstatutit të Asociacionit
Draftstatuti i Asociacionit është prezantuar në Bruksel gjatë takimit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri Kurti vlerësoi se përmbajtja e dokumentit është antikushtetues dhe theksoi se me të është synuar krijimi i një Republika Sërpska në Kosovë.
Për lirimin nga detyra të katër anëtarëve të Ekipit menaxhues ka reaguar shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Vendimin e autoriteteve kosovare e ka cilësuar të paligjshëm dhe, sipas tij, me të i jepet fund dialogut.
“Mandati i Ekipit menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draftstatutit të Asociacionit, por Ekipi menaxhues ka një rol të rëndësishëm në procesin e formimit të AKS-së, deri në themelimin e komunitetit... Tani mendoj se është e qartë për të gjithë se Kurti nuk dëshiron ta formojë Asociacionin dhe se dëshiron ta shmangë këtë obligim të rëndësishëm në çdo mënyrë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra që ai drejton.
Në të bëhet thirrje për reagimin e ndërkombëtarëve.
Por, në Qeveri nuk kanë treguar se pas prezantimit të draftstatutit në Bruksel si do të procedohet me formimin e Asociacionit dhe as se cili do të jetë raporti me draftin e propozuar. Pyetjeve të KOHËS për këto çështje nuk u janë përgjigjur të mërkurën nga Qeveria dhe as nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ekipi menaxhues është formuar në kohën e Qeverisë së Isa Mustafës, ndërkaq për herë të fundit përbërja e tij është ndryshuar në shtator të vitit 2020, gjatë qeverisjes së Anvdullah Hotit. Nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar: Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht.
Danijela Vujiçiq ka qenë anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit menaxhues, e pak kohë më vonë është zgjedhur deputete në Kuvendin e Serbisë, nga radhët e partisë së drejtuar prej Vuçiqit.
Edhe
Qeveria paralajmëron ndryshimin e përbërjes së ekipit menaxhues për Asociacionin
Anëtarët e ekipit kanë refuzuar t’i raportojnë Qeverisë së Kosovës, ndonëse formalisht janë emëruar prej saj. Para takimit të Brukselit janë ftuar në takim nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, por nuk i janë përgjigjur atij.
Shkarkimi i këtyre anëtarëve është mirëpritur nga udhëheqësit institucionalë.
Kryekuvendari Glauk Konjufca ka thënë se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca më shumë sesa të një organizate joqeveritare.
Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca ka thënë se nuk ka pritur që draftstatuti i hartuar nga Ekipi menaxhues të jetë ndryshe prej atij që është prezantuar.
“Gjithçka ishte e pritshme lidhur me atë që ndodhi. Pra, ekipi menaxhues i cili ishte vendosur prej qeverive të mëparshme të Kosovës pati një qëndrim vërtet tronditës për ne, meqenëse atje i prezantoi interesat e Republikës së Serbisë, jo interesat e Republikës së Kosovës. Pra, po e shini edhe vetë se çfarë ekipi menaxhues edhe çfarë institucionesh kanë vendosur qeveritë e mëparshme. Kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesat e Kosovës. Bile-bile, njëra prej tyre me sa dëgjova ishte pas bërë deputete në Parlament të Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksandar Vuçiqit”, ka deklaruar Konjufca.
Konjufca është shprehur skeptik për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e Asociacionit.
“Unë konsideroj që pozicionet janë shumë të largëta, pozicionet janë të papajtueshme mes palëve, andaj nuk pres fare që të ketë një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo nuk mund të ndodhë pikërisht për shkak të drejtimit politik që e ka Serbia. Sot ajo është tërësisht brenda koordinatave politike të nacionalizmit fashist që e ka Serbia prej kohës së Millosheviqit, prej viteve ’90. Nuk ka pendesë për krimet që ajo i ka kryer në Kosovë, kështu që nuk pres kurrfarë afrimi të këtyre pozicioneve”, ka thënë Konjufca. “Ne do ta vazhdojmë këtë drejtim që t’i mbrojmë interesat e Kosovës. Pa ndryshuar Serbia mua nuk më duket që mund të ketë një marrëveshje në një afat të shkurtër kohor”.
Draftstatutin e prezantuar nga Ekipi menaxhues, në Presidencë e kanë krahasuar me atë të Vojvodinës, krahinë autonome në kuadër të Serbisë.
Edhe
Varhelyi: Propozimi i Ekipit menaxhues, pikënisje në diskutimet për Asociacionin
“Synimi i tyre duket se është rikonstituimi i autoritetit autonom të Serbisë në Kosovë, njëlloj si Vojvodina, me synim të anulimit të institucioneve të Kosovës. Ky draft s’do të kalojë”, ka deklaruar shefi i stafit të presidentes Vjosa Osmani.
Gjatë takimit në Bruksel kryeministri Kurti ka prezantuar një dokument dyfaqësh, si vizion për zbatimin e pikës që lidhet me Asociacionin. Përpos që në të theksohet se Asociacioni duhet të burojë nga autorizimet e konventave të Këshillit të Evropës, sipas tij, ai duhet t’u ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka theksuar se nuk do të lejojë që këtij mekanizmi t’i përshkruhen në statut kompetenca ekzekutive dhe jokushtetuese.