Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se draftstatuti i Asociacionit, i prezantuar nga Ekipi menaxhues është pikënisje e rëndësishme e diskutimeve të ardhshme. Por, deklarata e tij nxiti reagime në Prishtinë. Në qeveri thanë se ai draft paraqet haptazi dëshirën për një Republika Sërpska në Kosova dhe si i tillë nuk mund të shërbejë si bazë për diskutime të mëtejme
Ka nxitur reagimin e institucioneve të Kosovës një deklarim i emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, që e dha të hënën për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Derisa bëri një përmbledhje të javës që la pas, Lajçaku përmendi takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj. Sipas Lajçakut, draftstatuti i prezantuar nga Ekipi menaxhues është pikënisje e rëndësishme e diskutimeve të ardhshme.
“Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga Ekipi menaxhues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve”, shkroi Lajçak në Facebook.
Në Qeveri thanë se drafti paraqet dëshirën për Republikë Sërpska në Kosovë dhe si i tillë nuk mund të jetë bazë për diskutimet e mëtejme.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se dokumenti i prezantuar është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Ai draft paraqet haptazi dëshirën për një Republika Sërpska në Kosovë. Si mundet Republika Sërpska të jetë bazë ose pikënisje për diskutime të mëtejme?”, thuhet në një përgjigje të shkruar që zëdhënësi Kryeziu ia dha KOHËS.
Ekipi menaxhues i përbërë nga anëtarë serbë, prezantoi më 2 maj në Bruksel një draftstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ai u hodh poshtë nga institucionet e Kosovës, nën arsyetimin se përmbajtja e tij ishte antikushtetuese.
Drafti ka 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj. Në të Asociacionit i janë përshkruar kompetenca, si: të miratojë vendime të Kuvendit e rregullore; ta mbikëqyrë zbatimin e ligjeve; t’i rregullojë zgjedhjet; të bëjë riorganizimin dhe funksionimin e organeve, agjencive, ndërmarrjeve publike; të bëjë mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave statistikore; të propozojë referendume; të vendosë për huamarrjen financiare; të miratojë buxhetin dhe bilancin vjetor; të themelojë organizata, agjenci, ndërmarrje dhe institucione publike, fonde, institucione financiare; dhe ta mbikëqyrë punën e tyre.
Draftstatuti gjithashtu parashikon që Asociacioni t’i regjistrojë votuesit, të mbajë regjistrat e lindjeve, martesave dhe vdekjeve.
Draftstatuti gjithashtu parashikon që Asociacioni t’i regjistrojë votuesit, të mbajë regjistrat e lindjeve, martesave dhe vdekjeve.
Neni 15 përshkruan se si Asociacioni do të bëjë një përmbledhje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, kujdesit shëndetësor, mirëqenies sociale dhe planifikimit urban dhe rural.
Draftstatuti gjithashtu parasheh që Asociacioni ta emërojë komandantin rajonal të policisë për katër komunat në veri.
Ai parasheh që Kuvendi i Asociacionit mund të shpallë referendum me iniciativën e tij, për çështje brenda kompetencave të veta, ndërsa është i obliguar të shpallë referendum me kërkesë të 10 për qind të votuesve që banojnë në territorin e komuniteteve pjesëtare të Asociacionit.
Disa orë pas prezantimit të draftstatutit me këtë përmbajtje, përbërja e ekipit menaxhues është shkarkuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Gjatë takimit në Bruksel kryeministri Kurti ka prezantuar një dokument dyfaqësh, si vizion për zbatimin e pikës që lidhet me Asociacionin. Përpos që në të theksohet se Asociacioni duhet të burojë nga autorizimet e konventave të Këshillit të Evropës, sipas tij, ai duhet t’u ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi.
Zëdhënësi Kryeziu ka thënë se ky propozim mundëson që të ndërtohet diçka e re, e drejtë dhe e dobishme për të gjithë.
“Ai bazohet në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare. Kroacia është shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s. Me Kroacinë ndajmë një të kaluar të përbashkët me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërkohë që si shtet aspirojmë të jemi anëtar edhe i BE-së, edhe i NATO-s. Për më tepër, një model i tillë është pranuar në të kaluarën nga Serbia. Prandaj edhe besojmë që përbën referencë të duhur për rrugën përpara në raport me Serbinë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë.
Emisarit Miroslav Lajçak i ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai ka thënë se kurrfarë pozicioni antikushtetues nuk mund të jetë bazë për negociata.
“Unë këtë mendim e kam, sepse nuk ka logjikë që me u nisë prej një pozicioni antikushtetues, pra që nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës e me mbërri te Kushtetuta e Kosovës. Ashtu nuk mundesh me mbërri kurrë. Pikënisja duhet me qenë brenda Kushtetutës së Kosovës. Bile-bile mendoj që nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, nëse Bashkimi Evropian nuk mendon që zgjidhja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, unë mendoj që Kosova s’ka çfarë të kërkojë në atë dialog më”, deklaroi kryekuvendari pas një takimi që e ka zhvilluar me kryetarin e Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, i cili ndodhet për vizitë në Prishtinë.
Draftstatuti i propozuar nga Ekipi menaxhues është hartuar nga një ekip menaxhues, që është drejtuar nga Danijela Vujiçiq, e cila është deputete e Parlamentit të Serbisë.