Angazhimin e NATO-s për sigurinë në Ballkan, në kohën kur në Evropë po zhvillohet luftë, e ka garantuar zëvendëssekretari i përgjithshëm i kësaj aleance ushtarake, Mircea Geoana.
Geoana ishte në krye të delegacionit të Këshillit të Atlantikut të Veriut që vizitoi Kosovën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoZyrtarët e Aleancës Veriatlantike u takuan me komandantin e KFOR-it, Ferenc Kajari, me drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë, Joachim Hoppe, si dhe me shefat e misionit të EULEX-it, OSBE-së dhe UNMIK-ut.
Pas vizitës në Kosovë, nëpërmjet një njoftimi për media, u tha se për NATO-n, dialogu Kosovë-Serbi është rruga e vetme drejt paqes së qëndrueshme.
“Z. Geoana theksoi se NATO e mbështet plotësisht procesin e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, pasi dialogu Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga BE-ja është platforma e vetme për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe mund të çojë në një paqe të qëndrueshme. Ai shtoi se pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia ka ndryshuar rrënjësisht arkitekturën e sigurisë evropiane dhe NATO mbetet fuqimisht e përkushtuar për një mjedis të sigurt dhe për stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Aleancës veri-atlantike.
Nga krerët institucionalë, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s takoi vetëm presidenten Vjosa Osmani.
Takimi ishte e mbyllur për media, e pas tij nuk pati konferencë.
Zyrtari i lartë i NATO-s nuk u takua me kryeministrin Albin Kurti. Në Zyrën e Kryeministrit thanë se arsye është që kreu i Qeverisë nuk gjendet në Kosovë.
“Zyra e Kryeministrit është njoftuar për vizitën e zëvendëssekretarit të NATO-s në Kosovë dhe ka qenë në komunikim për mundësinë e aranzhimit të takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Por, meqë data e vizitës përkon me vizitën e kryeministrit Kurti në Greqi, nuk ka qenë e mundur të realizohej takimi. Siç jeni të njoftuar, kryeministri i Republikës së Kosovës po merr pjesë në Tryezën vjetore të 26-të të ‘The Economist’ në Athinë, ku po zhvillon takime zyrtare me përfaqësues të ndryshëm”, ka thënë Rozafa Kelmendi, zëdhënëse në Qeverinë e Kosovës.
Nga ministrat e Qeverisë Kurti, zëvendëssekretari Mirça Gjoana takoi vetëm Goran Rakiqin, e që njëherësh është edhe kryetar i Listës Serbe.
Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Mbrojtjes lidhur me vizitën e zyrtarit të NATO-s e arsyet që nuk pati takim me ministrin Armend Mehaj, por nuk ka marrë përgjigje.